BERLIN – Komisionerja Hogl: Gjermania duhet të rindërtojë sistemin e rekrutimit ushtarak

BERLIN, 11 Mars /ATSH-DPA/ – Komisioneri i parlamentit gjerman për forcat e armatosura kërkoi një rindërtim të shpejtë të sistemit të regjistrimit të vendit për rekrutimin e mundshëm ushtarak në një raport vjetor të publikuar sot.
Gjermania pezulloi shërbimin e detyrueshëm ushtarak për burrat në vitin 2011, megjithëse kërkesa mbetet në kushtetuten e vendit, kushtetutën de facto. Në atë kohë, qeveria gjermane gjithashtu përfundoi regjistrimin dhe mbylli 52 zyrat ushtarake të rretheve që kishin menaxhuar sistemin e rekrutimit.
“Tani është urgjentisht e nevojshme të riaktivizohet sistemi i regjistrimit i ankoruar në Aktin e Rekrutimit”, thuhet në raportin e prezantuar nga komisionerja, Eva Högl.
“Një vend që mund t’i përgjigjet një sulmi të mundshëm me një ushtri të trajnuar dhe të pajisur në mënyrë të shkëlqyer është një pengesë për agresorët e mundshëm”, tha Högl.
“Themelore për këtë, janë të dhënat se kush mund të thirret në rast tensioni dhe mbrojtjeje, sa të përshtatshëm janë njerëzit dhe çfarë kualifikimesh kanë. Por, si rezultat i shpërbërjes së mëparshme të sistemit nën drejtimin e ish-kancelares Angela Merkel, këto lloj të dhënash nuk janë më të disponueshme për ushtrinë në rast konflikti”, tha ajo.
“Si rrjedhojë, nuk ka më një imazh gjithëpërfshirës të situatës për grupmoshat përkatëse që i nënshtrohen shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe aftësisë së tyre për të kryer shërbimin ushtarak”, tha Högl.
Ajo shtoi se hendeku ekziston edhe pse shërbimi i detyrueshëm ushtarak për burrat gjermanë, bazuar në nenin 12a të kushtetutës dhe Ligjit për Rekrutimin, vazhdon të ekzistojë si një detyrim i mundshëm.
Ministri aktual gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius u ka bërë thirrje ligjvënësve të miratojnë një model për shërbimin ushtarak në muajt e fundit, por ky propozim u la mënjanë për shkak të zgjedhjeve të shkurtit.
Megjithatë, Högl, paralajmëroi se ligjvënësit e sapozgjedhur duhet të trajtonin urgjentisht çështjen dhe merrnin vendime të shpejta se si të prezantojnë një sistem të ri shërbimi ushtarak, si dhe një shërbim alternativ joushtarak për kundërshtuesit e ndërgjegjshëm.