TEL AVIV – Ushtria izraelite sulmon sërish objektivat në Siri

TEL AVIV, 11 mars /ATSH-DPA/- Forcat Ajrore izraelite sulmuan sërish objektivat në jug të Sirisë fqinje, tha sot ushtria në një deklaratë.
“Avionët luftarakë sulmuan sistemet e radarëve, qendrat komanduese dhe depot e armëve gjatë natës”, thanë Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF).
IDF tha se objektivat përbënin një kërcënim për Izraelin dhe ushtrinë e tij dhe se sulmet ishin kryer për të eliminuar “kërcënimet e ardhshme”.
Ushtria izraelite ka zgjeruar ndjeshëm aktivitetet e saj ushtarake në territorin sirian që nga rënia e sundimtarit Bashar al-Assad, në dhjetor.
Ushtria izraelite zhvendosi trupat në një zonë tampon të çmilitarizuar midis Lartësive të Golanit të pushtuara nga Izraeli dhe Sirisë fqinje, duke përfshirë në anën siriane të malit Hermon.
Presidenti i ri i Sirisë, Ahmed al-Sharaa dhe qeveria e tij e përkohshme kanë bërë thirrje për tërheqjen e menjëhershme të Izraelit nga territoret siriane.
Avancimi në territorin sirian ka hasur gjithashtu kritika ndërkombëtare.
Lartësitë e Golanit janë një pllajë shkëmbore me rëndësi strategjike, rreth 60 kilometra e gjatë dhe 25 kilometra e gjerë – që u pushtua nga Izraeli në 1967 dhe u aneksua në 1981. Megjithatë, kjo nuk u njoh ndërkombëtarisht. //a.i/