E Diel, 1 Nëntor 2026

ARMO ndërron pronar ditën e Bajramit. Cila është kompania misterioze që merr pasurinë shqiptare?

extrakt qkr per armo_001Ditën e Bajramit, zyrtarisht një ditë pushimi, kompania ARMO ka ndryshuar pronarin e saj zyrtarisht në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.

Por çfarë ka ndodhur?

Sipas Top Channel, kompania ARMO në momentin e privatizimit pesë vjet më parë, është vënë në pronësi të kompanisë Anika Mercuria Refinery Associated Oil, e cila zotëron 85 për qind të aksioneve të rafinerisë, ndërsa shteti shqiptar pjesën e mbetur.

Anika Mercuria Refinery Associated Oil zotërohej nga kompania Anika Enterprises, që zotërohej nga familja e biznesmenit Rezart Taçi. Por me ndryshimet e ditëve dhe orëve të fundit, e vetmja pjesë pronësie që nuk ka ndryshuar është ajo e shtetit shqiptar, që përmes Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës vazhdon të mbajë 15 për qind të aksioneve.

Ndërsa 85% të aksioneve sërish i mbeten kompanisë Anika Mercuria Refinery Associated Oil. Por tek kjo kompani, referuar veprimeve të kryera në QKR, janë kryer ndryshime të pronësisë më datë 8 gusht.

Më konkretisht, 80% të aksioneve që ishin në pronësi të Anika Enterprises tashmë kanë kaluar në pronësi të kompanisë Heaney Assets Corporation, çka e bën këtë kompani pronare jo vetëm të Anika Enterprises, por edhe të Anika Mercuria Refinery Associated Oil dhe për rrjedhojë edhe të rafinerisë ARMO.

Gjithashtu, po më datë 8 gusht, është larguar administratorja e kësaj kompanie Anika Taçi dhe në vend të saj është emëruar sërish Fation Veizaj.

Edhe në këtë kompani rezulton që të jetë anëtare e Këshillit Mbikëqyrës avokatja Erinda Ballanca, e cila një vit më parë ka përfaqësuar Bankën Ndërkombëtare të Azerbajxhanit në padinë që kjo e fundit kishte bërë kundër Rezart Taçit. Banka azere kërkoi kthimin e shumës prej 75 milionë eurosh nga Rezart Taçi, shumë kjo e vendosur si garanci për blerjen e ARMO.

Por kush fshihet pas kompanisë Heaney Assets Corp.?

Dita shkruan se bëhet fjalë për një shtetas azer, me pasaportë iraniane, të quajtur Abe Halati, që ka firmosur kontratën.

Ai është përfaqësues i lartë në disa borde drejtuese të disa kompanive në Azerbajxhan.

Zyrtarisht Heaney Assets Corp. është e regjistruar në Ishujt Virgjine Britanikë, që do të thotë se është një kompani offshore, me pronarë që nuk njihen.

Por kush e ka dhënë autorizimin për shitjen e ARMO-s?

Mësohet se ka qenë pikërisht ministri aktual i Ekonomisë, Florion Mima, që më 31 korrik ka firmosur dokumentin me zarar ku thuhet se: … dhe ku si shkak ju na paraqitët vështirësitë financiare që aktualisht po kalon shoqëria juaj, shprehemi dakord për kryerjen e transferimit./ep

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›