Edhe pas GJND-së, BE pa qëndrim unik
Ministrat e Jashtëm të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian po vazhdojnë diskutimet e tyre rreth Kosovës, pas shpalljes së mendimit pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në favor të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Mirëpo bazuar në deklaratat e para të disa ministrave nga vendet e BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën, pak shenja ka se këto vende do të mund të ndryshojnë qëndrimin. Ministrat e Spanjës dhe të Qipros kanë thënë se vendet e tyre nuk do të ndryshojnë mendim dhe nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Nga shumë burime të BE-së, REL mëson se në diskutimet e djeshme, shumë ministra kanë përsëritur porosinë për Beogradin dhe Prishtinën që të angazhohen për një dialog praktik, i cili do të ndihmonte në lehtësimin e raporteve në rajon, në përmirësimin e jetës së përditshme të njerëzve dhe në afrimin e rajonit drejt integrimeve në Bashkimin Europian. Ata i kanë shprehur mbështetje të plotë porosisë që në emër të BE-së ka dhënë përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Katherine Ashton, e cila, menjëherë pas shpalljes së mendimit të GJND-së, kishte ftuar Beogradin dhe Prishtinën që ta shfrytëzojnë këtë fazë të re për nisjen e një dialogu. BE-ja thotë se Unioni është i gatshëm ta ndihmojë këtë dialog dhe ka bërë ftesë që të dyja palët ta pranojnë këtë ofertë. Në anën tjetër, disa shtete të BE-së thonë se në atë dialog janë dy linja të kuqe. E para është se nuk mund të ketë rinegocim të statusit të Kosovës, pasi kjo çështje konsiderohet e përmbyllur, si dhe nuk mund të diskutohet për ndarje territoriale të Kosovës, apo për shkëmbim territoresh. Sido që të jetë, edhe sot, deri në këto momente, është parë se mendimi i GJND-së nuk ka ndihmuar shumë në ndërtimin e një uniteti të plotë të BE-së për sa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës, ndonëse, siç thonë në BE, Bashkimi Europian vazhdon të mbetet unik rreth angazhimit në Kosovë, përfshirë mbështetjen e plotë të EULEX-it në ndihmë të zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe në garantimin e një perspektive europiane të Kosovës.
#