Buxheti i ri ndëshkon edhe sëmundjet e gjakut
Pacientët me sëmundje të vështira, me ilaçe të shtrenjta për trajtim janë nën vëmendjen prioritare të strukturave shëndetësore. Një shkresë e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, lidhur me marrjen në shqyrtim të fondeve për fëmijët e sëmurë me hemofili aktualisht ndodhet në prioritet të diskutimeve mes specialistëve të gjakut dhe specialistëve të financës.
është kërkuar shkurtim i fondeve me rreth 20 për qind për të sëmurët që trajtohen në pavijonin e specialistëve në spitalin “Nënë Tereza”. Sipas përgjegjësve dhe grupeve të interesit lidhur me çështjet e sëmundjeve të gjakut, si mjekëve ashtu edhe shoqatës së hemofilikëve, çdo lloj reduktimi do të ishte në disfavor të pacientëve. Megjithatë, çështja ndodhet ende në fazë diskutimi dhe shqyrtimi. Ndërsa për financat dhe një pjesë të “llogaritarëve” që aktualisht qëndrojnë me laps dhe letër në dorë, reduktimet tashmë janë një çështje e nevojshme për buxhetin e shtetit. Por, nga ana tjetër, drejtoria spitalore ka sqaruar se reduktimi duhet të jetë në “zërin” e investimeve dhe nuk mendohet se do të prekë “zërin” e barnave dhe blerjeve të materialeve spitalore.
HemofiliaHemofilia është një sëmundje gjaku e trashëgueshme nga prindërit gjenetikë dhe e pashërueshme, të cilën e trashëgojnë kryesisht meshkujt. Në trupin e tyre mungon faktori 8 dhe 9, faktori që shërben për mpiksjen e gjakut. Hemofilia është një nga format e çrregullimeve të gjakut më të vjetra, të trashëguara. Trupit të fëmijës i mungon aftësia për të pushuar gjakrrjedhjen dhe i mungojnë proteinat ose vetitë që kanë proteinat për të kryer mpiksjen e gjakut. Rreth 80 për qind e të sëmurëve, që vuajnë nga hemofilia, kanë edhe një sëmundje tjetër të rëndë, atë të Hepatitit B apo C. Sipas të dhënave, kjo sëmundje është marrë për shkak të mungesës së medikamenteve apo formave të tjera alternative që përdoren për të kuruar këta pacientë.
Dhurimi i gjakutNë vendin tonë janë afërsisht 300 persona që vuajnë nga sëmundja e hemofilisë. Duke u krahasuar me vendet fqinje të banuar nga shqiptarë, ku nevojat për gjak sigurohen vetëm nëpërmjet praktikës së dhurimit vullnetar, falas të cilët dhurojnë 3 në 100 banorë, në vendin tonë dhurohet 7 në 1 mijë banorë. Aktualisht gjaku sigurohet 20 për qind nga dhënës me pagesë, 60 për qind nga dhurues familjarë dhe rreth 20 për qind nga dhurues vullnetarë.
Sipas Kryqit të Kuq, si dhe Ministrisë së Shëndetësisë, numri i dhurimeve vullnetare është rritur disa herë më shumë në krahasim me vitet e shkuara. Problemi i mungesës së gjakut në vendin tonë ka qenë gjithmonë çështje e diskutuar jo vetëm nga shoqatat që kujdesen për sensibilizim, por edhe nga kategoritë në nevojë, siç janë talasemikët apo hemofilikët.
#