E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestë kundër privatizimit të PTK-së

Qindra punëtorë të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), të organizuar nga sindikata e kësaj ndërmarrjeje, protestuan sot në kundërshtim të vendimit të Qeverisë për privatizimin e PTK-së.

Punonjësit e PTK-së janë mbledhur para ndërtesës kryesore të Postës dhe mandej kanë filluar marshin e tyre protestues qendrës së Prishtinës, për t’u ndalur para Kuvendit të Kosovës.

Gjatë marshit protestuesit mbanin në duar pankarta, ku kundërshtohej privatizimi i PTK-së. Sindikalistët u bënë thirrje ligjvënësve që të kundërshtojnë këtë privatizim; “Deputetë të Republikës së Kosovës thoni jo aprovimit për privatizimin e PTK-së”, “Duam referendum, duam ligj të veçantë për PTK”, “Si do të arsyetohemi para gjeneratave të reja, çka mbeti pa u shitur?”, “Kuvend ndal privatizimin”, etj.

Kryetari i Sindikatës së PTK-së, Milazim Alishiqi ka thënë se privatizimi i kësaj ndërmarrje do të sjellë vetëm humbje për buxhetin e Kosovës dhe varfëri në vend.

“Ju bëjmë thirrje nga ky vend edhe një herë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që për këtë pikë të rendit të ditës të jenë të kujdesshëm. Të analizojnë mirë rrethanat dhe të gjithë faktorët që kanë sjell deri te ky akt, akt i cili nëse thuhet po privatizimit do të sjellë në Kosovë humbjen e kompanisë më të madhe në Kosovë, e cila qytetarëve të Kosovës u ka sjellë shumë përfitime në aspektin strategjikë, ekonomik, financiar dhe të punësimit”, është shprehur Alishiqi, raporton KosovaPress.

Ai përmendi se PTK-ja deri në nga mesi i vitit 2010 ka dhënë 335 milionë euro për buxhetin e Kosovës , ndërsa më paratë e kësaj ndërmarrje janë ndërtuar edhe 65 shtëpi, janë dhënë 57 bursa për studentë, janë punësuar shumë nga kategoritë e dala nga lufta, persona me aftësi të kufizuar dhe janë dhënë shumë donacione tjera.

Sipas tij, PTK-ja ka mundësi të mos privatizohet dhe me një menaxhim të mirë mund të sigurojë mjetet për ndërtimin e autostradës, për çka edhe po pretendohet se do të shitet.

“Ka pas shumë vendime kapitale për shtetin e Kosovës, por ka pas edhe vendime që jo rrallë që kanë qenë edhe kundër interesave të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Prandaj vendosni pa ndikime politike, pa presione, pa shantazhe dhe verdikti i juaj të jetë nga mendja e shëndoshë për interes të qytetarëve të Kosovës. Pra, jo privatizimit të Postë Telekomit të Kosovës”, ka thënë Alishiqi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›