E Shtunë, 31 Tetor 2026

ART’ja e vlerëson të suksesshme heqjen e antenave

Bordi i Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit të Kosovës heqjen e antenave të operatorëve ilegal e vlerëson si një operacion të suksesshëm, duke dobësuar sinjalin e këtyre operatorëve. Lidhur me kërcënimet Beogradit që janë bërë për ndërprerjen e internetit, kjo nuk shihet si ndonjë problem, sepse siç thonë ata operatorët legal në Kosovë kanë alternativa të tjera.

ART-ja më 23 dhe 24 prill ka ndërmarr aksion për eliminimin e operatorëve të palicencuar ilegalë në telefonin mobile që veprojnë në Kosovë.

Kryetar i Bordit të ART-së, Ekrem Hoxha ka thënë të hënën në një konferencë për media se ky aksion ka pas shtrirje në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke mos përjashtuar edhe pjesën veriore të Kosovës.

Hoxha ka theksuar se është arritur efekti i këtij operacioni, duke dobësuar në masë të madhe sinjalin e operatorëve ilegalë.

“ART-ja menjëherë do të autorizojë matjet e Republikës për të konstatuar efektin, apo matjet konkrete, se si kanë ndikuar këto në tregun e shërbimeve të telefonisë mobile, sinjali është eliminuar, apo ka një dobësi shumë të ultë, nuk mund të realizohen thirrjet. Por më konkretisht, këto pas realizimit të matjeve që do të zgjasin një javë, se duhet të përfshihet i gjithë territori i Kosovës dhe vetëm atëherë do të kemi detajet specifike mbi efektin e arritur”, ka theksuar Hoxha.

Sipas tij pajisjet janë sekuestruar, janë siguruar dhe do të mbahen nën administrim të institucioneve përkatëse për një periudhë të caktuar kohore, deri sa të mbyllen kërkesat me ligjet e aplikueshme.

Hoxha gjithashtu ka mohuar që ka pas ndonjë presion për heqjen e këtyre antenave.

Lulzim Kurtaj, anëtar i Bordit të ART-së, lidhur me kërcnimet e Serbisë për ndërprerje të internetit, ka thënë se një veprim i tillë i Beogradit është mjaft i kufizuar, pasi operatorët e internetit në Kosovë kanë ofruar alternativën për t’u furnizuar me internet, dhe si e tillë kjo tregon tendencë të Beogradit, por jo edhe mundësi reale.

I pyetur nga mediat për mundësinë e shkyçjes së prefiksit të Kosovës 381, Kurtaj ka thënë se kjo është e mundur. Po sipas tij, ky është një veprim i palejuar ndërkombëtarisht për arsye se përgjegjësia e Serbisë ndaj kodit shtetëror 381 në një far mënyre është në raport me ITU-në dhe si mundësi e tillë nevojitet një procedurë relativisht e qartë dhe komplekse për me ndërmarr një veprim të tillë.

Gjithashtu ai ka shtuar se Serbia nuk do të ndërmerrte një hap të tillë, sepse do të dëmtohej ekonomikisht dhe Kosova do të fitonte kodin e vet shtetërore.

“Nga ana ekonomike nuk është në interes të Serbisë, për me ndërmarr një veprim të tillë dhe së fundi ndërprerja e prefiksit 381 nga ana e Serbisë kishte me qenë një nismë e mirë për Kosovën, që më në fund mekanizmat ndërkombëtar me pas të qartë domosdoshmërinë e marrjes së kodit shtetërore. Dhe po mendoj që Serbia nuk është e interesuar për një veprim të tillë”, ka deklaruar Kurtaj.

Nga ana tjetër, Kadri Arifi ndihmës drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, ka thënë se Policia e Kosovës i ka përkrahur dhe i përkrah gjitha institucionet vendore në vendosjen e rendit dhe rregullit, dhe në këtë rast edhe angazhimet e ART-së për vendosjen e rendit dhe rregullit në fushën e telekomunikimeve.

Ai ka theksuar se operacioni ka qenë i planifikuar dhe i realizuar shumë mirë, duke shtuar se nuk është shënuar asnjë incident gjatë implementimit të këtij operacioni.

Arifi ka theksuar se angazhimi i Policisë së Kosovës nuk do të mungojë në asnjë moment.

“Vendimi për t’i asistuar ART-së merret në Prishtinë dhe nuk është e nevojshme që të pyeten instancat tjera të policisë, dhe angazhimi nuk do të mungojë në asnjë moment dhe ne në bashkëpunim, ashtu siç ART-ja e bënë planifikimin për kohën dhe datën e caktuar, do të japim asistencën e nevojshme”, është shprehur Arifi.

Operacioni për heqjen e transmetuesve ilegale është zhvilluar në regjione, atë të Prishtinës dhe pjesëve përreth, regjioni Dukagjinit, duke përfshirë Pejën dhe Deçan, regjioni i Gjilanit si dhe ka pas një stacion bazë në Prizren, në pjesën jugore të Republikës së Kosovës.

Bordi i ART-së vlerësoi se plani ka qenë që të largohen 28 stacione bazë, apo të njohura si BTS, 26 janë realizuar konformë planit dhe në dy raste tjera ka pas vështirësi të natyrës teknike, por sipas tyre efekti është arritur.

Anëtarët e Bordit kanë mohuar të ketë pasur dëme nga ky operacion, përveç dëmeve të domosdoshme, si hapja e kontenierit dhe prerja e furnizimit. Gjithashtu operacioni do të jetë i hapur edhe më tutje. /kosovapress/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›