E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova e Maqedonia, me vendkalim të ri kufitar

Me hapjen e vendkalimit kufitar Bellanoc – Stançiç midis Maqedonisë dhe Kosovës sot është hapur bashkëpunimi i ndërsjellët midis ministrave të Pushtetit Lokal, Musa Xhaferi dhe atij të Kosovës, Sadri Ferati, me nënshkrimin e memorandumit për programin për bashkëpunim ndërkufitar.

Projekti për hapjen e kësaj pike kufitare e cila do të zhbllokojë zonën e Kumanovës dhe Likovës do të kushtojë rreth 1,2 milion euro, donacion i paraparë në kuadër të fondeve IPA të Bashkimit Evropian.

“Përpilimi i këtij programi parasheh financimin e projekteve nga fondet IPA të BE-së. Përveç hapjes së vendkalimit, rreth një milion euro janë paraparë për financimin e projekteve të tjera për bashkëpunim ndërkufitar”, ka theksuar ministri Musa Xhaferi.

Ministri kosovar i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati ka vlerësuar se ky bashkëpunim nënkupton një marrëveshje historike, dhe e para në nivel të dy shteteve në këtë fushë. “Ne dëshirojmë që bashkëpunimi dhe projektet që janë në interes të qytetarëve të të dy vendeve të ndodhin shpeshherë dhe të implementohet në mënyrë të përshpejtuar.”, ka theksuar ministri Ferati, duke shtuar se pret që finalizimi i hapjes së kufirit Bellanoc-Stançiç të ndodhë gjatë këtij viti, duke mundësuar afërsinë midis banorëve të Kumanovës dhe Gjilanit.

Qëllimi i memorandumit të nënshkruar është bashkëpunimi midis qytetarëve, komunave, institucioneve dhe organizatave në zonat kufitare midis Kosovës dhe Maqedonisë. Programi i paraparë për ndarjen e fondeve duhet të miratohet edhe nga Brukseli, me ç`rast dokumenti përfundimtar finalizohet nga Qeveria e Kosovës dhe Maqedonisë.

Kohë më parë ambasadori i BE-së në Shkup, Ervan Fuere kërkoi bashkëpunimin ndërkufitar mes rajonit të Likovës dhe Kumanovës me vendet fqinje, me qëllim të zhvillimit të ekonomisë dhe tregtisë së lirë. Ai këtë paralajmërim e bëri gjatë valës së azilkërkuesve shqiptarë nga këto zona. (INA)

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›