E Diel, 1 Nëntor 2026

AS: Taçi do të blejë Romën Rezarti hedh poshtë gjithçka

Zhvillimet
Lajmi u botua në gazetën spanjolle. Taçi: Nuk jam i interesuar

Pas interesimeve për Bolonjën dhe Milanin, Rezart Taçi dëshiron të blejë Romën. Ky është lajmi i dhënë dje nga e përditshmja sportive spanjolle “AS”, gazetarë të së cilës kanë qenë të pranishëm në Tiranë për të ndjekur nga afër aventurën e galaktikëve të Realit të Madridit përballë Gramozit të mërkurën. Gazeta prestigjioze spanjolle insiston se pronarja e Romës, familja Sensi, edhe për shkak të problemeve financiare, shumë shpejt pritet të vendosë të shesë klubin. “AS: ka bërë të ditur se mes pretendetëve për blerjen e Romës është edhe Rezart Taçi, miliarderi shqiptar, pronar i kompanisë së naftës “Taçi Oil”, i cili në të kaluarën ka qenë shumë pranë blerjes së Bolonjës, por që më pas ka shprehur edhe dëshirën për të blerë Milanin (Taçi: “Nëse Berluskoni do të donte ta shiste, unë jam gati ta blej”). Në këtë gazetë shkruhet se ishte pikërisht ky motivi i udhëtimit të drejtorit Bronzeti në Tiranë. Por gjatë orëve të fundit ka ardhur edhe përgënjeshtrimi. Faqja sportive italiane ‘Romanews.eu’ ka kontaktuar vetë biznesmenin, i cili gjatë verës së kaluar ishte një hap larg blerjes së Bolonjës, por që u tërhoq në minutat e fundit. Taçi ka dashur të përgënjeshtrojë çdo përfshirje të mundshme në tratativat për blerjen e klubit roman. “Nuk jam i interesuar, nuk e kam idenë se si ka dalë ky zë”, ka thënë biznesmeni, që sipas të përditshmes spanjolle kishte diskutuar me ndërmjetësin e merkatos së verdhekuqve, Ernesto Bronzeti. “Me Bronzeti nuk kemi folur kurrë për këtë punë, as për Romën”, rrëfen Taçi. Ata të dy janë takuar të mërkurën vetëm në rastin e një ndeshjeje miqësore të zhvilluar në Shqipëri mes Realit të Madridit dhe Gramozit. Taçi thekson, duke u mbyllur në mënyrë hermetike portën spekulimeve të fundit: “Ky interesim i imi për Romën është një shpikje gazetareske, që e përgënjeshtroj në mënyrë kategorike”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›