E Diel, 1 Nëntor 2026

Stonon Vllaznia, humbet në Peqin

Zhgënjim në debutimin për trajnerin Edi Martini, të tijtë u mundën 2-1
Pas rreth një muaji pushim, për shkak të pauzës dimërores, futbolli shqiptar i rikthehet aktivitetit me surpriza. Vllaznia ka dështuar edhe në Peqin, ku është mundur 2-1, duke shënuar kështu edhe një debutim me humbje për trajnerin kuqeblu, Edi Martini. Sfida në fjalë është luajtur në një terren të vështirë, jo të baltosur kësaj here, por tepër të ashpër dhe ku bari jeshil nuk dukej gjëkundi. Megjithatë, të dyja skuadrat kanë luftuar fort, pa i lëshuar aspak pe’ njëra-tjetrës, por në fund fitues ka dalë Shkumbini. I cili ka kaluar në epërsi qysh në minutën e 33-të, me anë të gjirokastritit Shenaj, që një krosim të ardhur nga krahu i majtë i sulmit të tij, e ka kthyer në gol me kokë në portën e të rikthyerit në Shqipëri, Ilion Lika. Pjesa e parë ka rezervuar edhe një moment acarimi, ku Rajovic ka goditur me grusht sulmuesin peqinas, Mustafaraj. Kjo i ka nxehur gjakrat, megjithatë gjyqtari kryesor, Kridens Meta, pasi është konsultuar edhe me anësorin Arben Pregja, i ka nxjerrë me karton të kuq të dy lojtarët në fjalë. Kjo është kontestuar fuqishëm nga vendasit, të cilët kanë pretenduar se Mustafaraj është goditur nga kundërshtari dhe s’ka pse të nxirret jashtë loje. Vendimi i Metës nuk mund të kthehej mbrapsht, kështu që loja ka vijuar pa ata të dy. Pjesa e parë është mbyllur 1-0 për Shkumbinin, ndërkohë që e dyta e shikon Vllazninë të hedhur me më shumë forca në sulm. Duket disi më i tërhequr Shkumbini, që luan me kujdes për të ruajtur golin e Shenajt, dhe sipas rastit, për t’i goditur kuqeblutë me anë të kundërsulmit. Por nuk vonon shumë dhe miqtë vendosin baraspeshën, me një gol me kokë, të shënuar nga Shtupina, pas një gabimi të qendrës së mbrojtjes peqinase, që nuk e largon dot topin nga zona e saj. Kronometri i lojës shënon pikërisht minutën e 56-të, rezultati 1-1. Gjithçka nis nga e para për të dyja palët, që kërkojnë me ngulm golin e epërsisë. Gjë të cilën e arrin Shkumbini, me anë të serbit Greboviç, në minutën e 66-të. është Sekseri, që dhuron një top të bukur për serbin, i futur në pjesën e dytë në lojë, ndërkohë që ky i fundit lëshon një predhë, tokazi, në këndin e djathtë të portierit Lika, i cili nuk ka ç’të bëjë tjetër, veçse ta nxjerrë sferën për herë të dytë jashtë rrjetës së tij. Minutat e mëpasshme janë një dyluftim i fortë, kryesisht në mesfushë, ku peqinasit kërkojnë të thyejnë që në nisje manovrën sulmuese dhe reaguese të Vllaznisë, duke ia arritur me sukses. Në këtë mënyrë, Shkumbini merr 3 pikët e para për vitin 2010, ndërsa Vllaznia nuk i ndahet humbjes, edhe pse në këtë ndeshje, ku bëri debutimin zyrtar trajneri Edi Martini, kishte më shumë nerv, grintë dhe shpirt gare te lojtarët shkodranë. Me një fjalë, ishte një skuadër më e gjallë dhe më agresive, që e kërkoi gjatë 90 minutave rezultatin pozitiv, të cilin kësaj here nuk e arriti.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›