ASHR, fushatë informuese për gripin e derrave
Drejtuesit e qendrave shëndetësore në rajon, mjekët e shkollave dhe të gjithë specialistët e shërbimit të epidemiologjisë janë mbledhur dje nga Autoriteti Shëndetësor Rajonal i Tiranës, duke u informuar për simptomat e gripit të derrit dhe masat që duhet të marrin.
"Në kuadër të rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për situatën e gripit të derrave, ASHR ka marrë të gjitha masat e duhura në disa drejtime", - tha drejtori i ASHR-së, Mhill Gecaj, gjatë takimit. Sipas tij, "çdo rast i dyshuar dhe i konstatuar me shenja të gripit të derrit apo dhe të gripit të zakonshëm, që do të konstatohet nga mjekët e shkollave apo të familjes të shërbimit shkollor dhe parashkollor, do të funksionojë sistemi i referimit për 24 orë pranë ASHR-së, Drejtorisë së Shëndetit Publik etj.". Z. Gecaj garantoi se janë dhënë të gjitha udhëzimet e nevojshme, në rast të konstatimit të simptomave të virusit. “Gripi i derrave ka shenja të njëjta me gripet sezonale, ndaj dhe masat do të jenë të menjëhershme, qoftë izolimi i rasteve që do të konstatohen dhe do të jenë të prekura, deri tek ekzaminimet laboratorike, pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë dhe Drejtorisë së Shëndetit Publik të Tiranës", - tha drejtori i ASHR-së. Specialisti i Institutit të Shëndetit Publik, Dritan Ulqinaku, theksoi mesazhin e OBSH-së, se jemi në fazën 5 të pandemisë, ndaj dhe duhet të marrim masat e duhura. “Nuk ka raste të dyshuara në vend, por duhet të jemi të kujdesshëm, pasi rastet janë konfirmuar dhe në vende të Bashkimit Evropian”, - theksoi ai. Me këtë rast, ai i bëri thirrje personelit shëndetësor të jetë i kujdesshëm dhe të respektojë rregullat e higjienës personale, që janë thelbësore dhe të domosdoshme për parandalimin e infeksionit. Drejtori i Shëndetit Publik të Tiranës, Gjergji Ndoja, informoi drejtuesit e qendrave shëndetësore për simptomat e gripit të derrit, si dhe masat përkatëse, në rast të dyshimit të infektimit nga virusi. MSH-ja është në kontakte të vazhdueshme me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, me rrjetin e Rregullores Ndërkombëtare Sanitare, me institucionet e shëndetit publik evropian dhe rrjetin e monitorimit ndërkombëtar të gripit, ndërsa adaptimi i të dhënave është i përditshëm.
Edhe shefi i OBSH-së për Shqipërinë ka dhënë alarmin se gripi i derrave mund të prekë edhe vendin tonë. Sipas Anshu Banerjë, edhe Shqipëria mund të jetë e rrezikuar nga gripi i derrave, pasi virusi i ri ka zgjeruar hartën e shpërndarjes së tij. "Duhet të rriten kushtet e higjienës nëpër ambiente publike dhe të përdoren maskat. Organizata Botërore e Shëndetësisë i kërkon sërish Shqipërisë që të marrë masa të forta, për të përballuar gripin e derrave, që sipas zyrtarëve më të lartë do të kthehet në një pandemi. Shqipëria është e rrezikuar përderisa virusi ka prekur vendet fqinje. Ministria shqiptare e Shëndetësisë po ndjek të gjitha rekomandimet e OBSH-së", - tha Anshu Banerjë. Ndërkohë, komisioni i ekspertëve që është ngritur pranë Ministrisë së Shëndetësisë, po merr të gjitha masat në pikat kufitare, si dhe në aeroportin "Nënë Tereza".