U VENDOSËN KUFIJTË E SHQIPËRISË APO TË GREQISË?
Nga Bedri Çoku
E paimagjinueshme është përpjekja e disa mediave dhe e analistëve për të gjetur gjilpërën në thesin me kashtë të politikës, ndërsa përpiqen që, edhe kur Greqia për herë të parë në historinë e vet gati 100-vjeçare ndaj Shqipërisë, pranon kufijtë ujorë me Shqipërinë, këta të ashtuquajtur politikanë apo analistë, gjoja nacionalistë, të dirigjuar kushedi nga cila orkestër bodrumesh, çirren e zhurmojnë gjoja se Shqipëria i dhuroi Greqisë km të tëra hapësira ujore. Dhe nuk pyesin e analizojnë se si ka mundësi që kufiri i ujerave territoriale midis Shqipërisë e Greqisë kishte mbetur deri më sot pa u përcaktuar zyrtarisht. Harrojnë që Greqia deri pak kohë më parë vazhdonte luftën e paprinciptë ndaj Shqipërisë, nga segmentet shoviniste, duke llogaritur kufijtë e shtrirjes së vet deri në lumin Shkumbin dhe nuk ka dashur kurrë të pranonte kufijtë ujorë që u njohën këto ditë. Zotërinj të nderuar që po çaheni nga “inati” pse Greqia, më në fund, pranoi botërisht e në mënyrë bindëse se kufijtë e saj, nga sot e tutje nuk janë më ata që pretendojnë qarqet shoviniste, por aty ku ndërkombëtarisht ata tashmë njihen. Pikërisht, aty ku firmat e dy shteteve të së njëjtës aleancë ushtarake e politike, të barabartë politikisht e moralisht, respektojnë kufijtë e njëri-tjetrit. Kush mund ta lejojë një ndarje të padrejtë kufijsh, pikërisht sot, kur Shqipëria u pranua e barabartë midis më të fuqishmëve, siç pretendojnë “bodrumet e zeza” të së shkuarës, edhe sikur Greqia apo Shqipëria do ta dëshironin një ndarje të tillë? Këtu nuk ka asnjë lëshim, asnjë servilizëm, veç u arrit një firmosje e domosdoshme dhe e vonuar për shkak të pozicionit superior që Greqia mbante deri më sot ndaj Shqipërisë komuniste dhe postkomuniste. Siç duket, këta analistë, politikanë apo gazetarë ende nuk e bindin dot veten apo padronët e tyre se, statuskuoja shqiptare nuk është më kurrsesi ajo para 4 Prillit. Është pikërisht kjo arsyeja, mendoj unë, që ata, të cilët s’e kanë dëshiruar e s’e dëshirojnë kurrë këtë statuskuo të re të Shqipërisë nën përkatësinë e bllokut perëndimor, pa i përflasin kaq në mënyrë mjerane marrëveshjet dhe veprimet që bën sot qeveria aktuale, qoftë me Evropën, qoftë edhe me Greqinë... Sepse nuk ka asnjë arsye të vlerësohen këto veprime antikombëtare e të realizuara vetëm nga dëshira dhe mendja e Sali Berishës, qoftë marrëveshja me Italinë në Vlorë, me bllokun e NATO-s, me MSA-në apo me Greqinë së fundi, siç po thonë, sepse shqiptarët ndër vite i kanë pritur ndryshimet madhore me Perëndimin mu si qorri sytë, me siguri gëzohen dhe i shqelmojnë me neveri shpifjet dhe insinuatat regresive. Së fundi, çdo gjë lejohet të thuhet e të diskutohet në demokraci, aq më tepër përpara zgjedhjeve parlamentare, por të përflasësh për rezultate të bujshme që arrihen në favor të shqiptarëve e të Shqipërisë, kjo nuk është as propagandë elektorale, as liri e fjalës, por vetëm ngulje thonjsh në hapësirë për të mos u shkëputur nga statuskuoja e vjetër dhe antishqiptare...
.