Abass kërkon garanci nga SHBA-ja

Presidenti i Palestinës, Mahmoud Abass kërkon “garanci dhe përgjigje” nga Washingtoni, para se të bie dakord për t’u rikthyer në negociatat për paqe me Izraelin, theksoi një burim pranë udhëheqësit palestinez.
Abassi do të takojë të dërguarin e SHBA-së, George Mitchell në Ramallah, teksa diplomati shkoi në Palestinë nga Jerusalemi në përpjekje për të nxitur rinisjen e negociatave të zvarritura për paqe.
Burimi palestinez theksoi se Abassi dëshiron një përgjigje nga SHBA lidhur me letrën e javës së kaluar, ku i kërkohej Sekretares së shtetit “garanci dhe përgjigje para se të ktheheshin në negociata direkte ose indirekte”.
Letra prezantonte dy çështje kryesore për rikthimin në negociata: së pari, SHBA-ja duhet të sigurojë “ndalimin e plotë” të ndërtimit të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor dhe së dyti SHBA-ja të pranojë njohjen e një shteti palestinez në kufijtë e vitit 1967.