"Openleaks" konkurrent i "Wikileaks"
Portali i zbulimeve "Wikileaks" do të ketë së shpejti një konkurrent. "Openleaks" quhet platforma e re në internet. Nismëtar i saj është gjermani Daniel Domscheid-Berg, dikur mik i Julian Assange në Wikileaks-it.
Kush kërkon sot në internet me emrin Daniel Domscheid -Berg, merr në sekondë disa mijëra artikuj. Në disa prej tyre thuhet se ai është në sherr me portalin e zbulimeve Wikileaks‘.
Domscheid-Berg nuk e përdor fjalën "sherr", por flet për "dallime" lidhur me udhëheqjen. Dhe me gjithë kritikën ndaj kultit të personit të themeluesit të "Wikileaks-it"Julian Assange, ai nënvizon meritat e ish-shokut të tij nga Australia: "Bëhet fjalë për debatin çfarë duhet mbajtur sekret në përgjithësi. Çfarë ndodh pas skenave, kur ngrihet perdja? ‚Wikileaks‘ e transportoi këtë debat në dhomat e ndenjes të gjithë botës. Sot për këtë gjë flasin edhe njerëz që nuk kanë pasur kurrë interes për një gjë të tillë. Ata konfrontohen vazhdimisht me këtë gjë", theksoi Domscheid –Berg.
Por ajo që nuk i pëlqen fare Domscheid-Berg-ut duket se është pozicioni monopolist që ka marrë ‚Wikileaks‘ si portal zbulimesh. Me themelimin e portalit të vet me emrin ‚Openleaks‘, berlinezi kërkon të sjellë në skenë më shumë kualitet dhe kuantitet, pa iu dashur të ndahet nga ideja fillestare.