E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspedita e vdekjes:Autobusi në greminë, shuhen 11 studente, 26 të plagosura

Orë pas ore ngjarja e katërt më e rëndë aksidentale që nga 1989. Emrat e studenteve. Vdes edhe shoferi i autobusit dhe i fejuari i njërës prej të shpëtuarave.

Tragjedi në Himarë, 13 të vdekur.

Mjeti po zbriste në dishezë në Qafën e Vishës. Hetim për kushtet e mjetit dhe infarkt shoferit.

Policia duke kërkuar për të mbijetuar

Ndërpritet tragjikisht ekspedita e studentEve të vitit të tretë të degës së Gjuhë-Letërsisë në Elbasan. Udhëtimi që do të mbyllej në qytetin e Sarandës u kthye në një aksident fatal, në afërsi të Himarës, duke iu marrë jetën 13 personave dhe la të plagosur rëndë 26 të tjerë. Autobusi ku udhëtonin 39 veta doli nga rruga në vendin e njohur si Qafa e Vishës dhe u rrëzua në një greminë 100 metra të thellë. Veç shoferit 56-vjeçar Pëllumb Çela dhe të fejuarit të një prej vajzave, të gjitha udhëtaret e tjera ishin studente. Ngjarja fatale ndodhi rreth orës 16:00. Studentët ishin ndarë në dy autobusë, me rreth 80 udhëtarë gjithsej. Ndërsa autobusi i parë kishte mbërritur në Qeparo, i dyti, me targë EL 22 74 B, ende nuk i ishte afruar Himarës. Rreth 3 kilometra larg qytetit të Himarës, kur rruga nacionale pëson një zbritje të konsiderueshme, ndodhi dhe tragjedia. Autobusi i drejtuar nga 56-vjeçari është përplasur dy herë me bordurën anësore të rrugës dhe pas një frenimi të fortë, që zgjati disa metra, përfundoi në krahun tjetër. Bordura prej betoni dhe hekuri nuk e ka ndalur fatkeqësinë. Gomat e autobusit kanë shkatërruar pengesën për të përfunduar tërësisht në greminë. Mjeti ka pësuar disa rrotullime, për të përfunduar në thellësi përmbys dhe në gjendje komplet të shkatërruar. Fati i keq i udhëtarëve është mësuar menjëherë nga skena e aksidentit. Që nga lartësia e rrugës dallohej mjeti i copëtuar plotësisht, ndërsa jashtë kishin fluturuar çantat e objektet e studentëve. Dëshmitarë të tragjedisë kanë qenë udhëtarët e rastit në ato momente, të cilët kanë dhënë alarmin. Brenda pak minutash në greminë zbritën personat e parë që nxorën trupat në rrugë. Më tej, forca të shumta të Policisë së Vlorës, Sarandës, specialë dhe zjarrfikëse populluan zonën. Askush nuk e dinte nëse kishte apo jo viktima dhe sa. Të gjithë udhëtarët e autobusit u nxorën në lartësinë e rrugës e prej andej me shpejtësi u transportuan në qendrën shëndetësore të Himarës. Gjendja e rëndë angazhoi dhjetëra ambulanca dhe helikopterët e Ministrisë së Shëndetësisë e të Mbrojtjes për të shpëtuar të mbijetuarit. Ky ishte qëllimi i parë i forcave në vendngjarje, të cilët kontrolluan me imtësi mes hekurishteve të autobusit për persona të tjerë që mund të kishin ngelur viktima. Rreth orës 18:30 u deklarua se në autobus kishin qenë vetëm 39 persona, ku veç dy burrave (shoferit dhe të fejuarit të njërës prej vajzave), të tjerat ishin studente, që e kishin ekspeditën e djeshme pjesë të kurrikulës mësimore.  Drejtori i Policisë së Vlorës, Artan Cuku, deklaroi se një grup pune po heton për shkaqet e aksidentit tragjik. Ekspertiza në vendin e ngjarjes vazhdoi deri në orët e vona, për tu ndërprerë për shkak të errësirës. Dyshimet e para flasin për disa pista që shkaktuan tragjedinë: drejtuesi i autobusit mund të ketë humbur kontrollin për shkak të shpejtësisë dhe  kthesës para se të futej në urë; bllokimi i sistemit të drejtimit, si dhe një infarkt në zemër. Ekspertët thonë se në asfalt janë vënë re shenja frenimi, por sipas tyre, të dobëta. Tre prej personave të mbijetuar që u morën në pyetje nga policia deklaruan se shoferi ka qenë me shpejtësi. Pritet që sot në mëngjes hetuesit të kthehen në vendin e ngjarjes.

Autobusi i aksidentuar dje në Himarë

Emrat
Te vdekur

Eranda Baloshi
Pëllumb Çela
Elsa Daka
Dorina Stafa
Juliana Tola
Armand Aga
Denisa Guzi
Ermira Mano
Lindita Kabashi
Joana Debinja
Fabiola Shehi
Erjola Xhoi

Të plagosur
Në spitalin ushtarak
1. Kaltra Pollozhani
2. Alma Deda
3. Eranda Bato
4. Antoneta Taçe
5. Doriana Kumria
6. Anisa Çobaj
7. Shegushe Haka
8. Elsa Shtylla
9. Ifsjana Karriqi
10. Mirsie Biba
11. Besjana Dani
12.Florie Peci
13.Briselda Gubere

Në spitalin e Vlorës
1. Elidiona Gjinaj
2. Enkela Daja
3. Ticiana Hysa
4. Juliana Kuqi
5. Ergita Opingari
6. Adjola Musaka
7. Liri Hasa
8. Besjana Xheneti
9. Adisa Çela
10. Anisa Hysa
11.Griselda Zeneli
12.Blerina Çereni

Në Himarë
1.Arta Ballabani

Shpëton Besjana Xheneti, vdes i fejuari
Fillimisht u mor vesh lajmi i mirë, pastaj i keqi. Në mes ulërimash, Nexhmie Xheneti, e ardhur me urgjencë nga Kavaja po kërkonte të bijën studente, Besjanën. Pas disa minutash, ajo u identifikua në katin e tretë të spitalit rajonal të Vlorës, por i fejuari i saj, Armand Aga, nuk ishte gjëkundi. Ata po udhëtonin që të dy në turneun e fakultetin, pasi ishin edhe shokë grupi. Por do të ishte udhëtimi i fundit që bënë bashkë. Besjana Xheneti i mbijetoi aksidentit dhe tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën edhe pse me plagë të shumta, por i fejuari i saj nuk është më Sigurisht, Besjanës nuk guxon askush që tia thotë këtë! Madje, as nënës së saj, Nexhmies, që deri pas mesnate vijonte që ta kërkonte dhomë më dhomë.

Miku i shoferit: Pëllumbin e njoh që nga 90, ka pasur probleme me zemrën

Sapo ka dëgjuar emrin e Pëllumb Çelës si shofer autobusi në aksidentin e Himarës, Engjëll Bimo menjëherë ka menduar se ai ka pësuar atak kardiak. Burri rreth të gjashtëdhjetepestave që banon në Vlorë e ka njohur Çelën që në vitin 1990 dhe e ka pasur mik ndër vite. Në vitin 1990 ai bënte linjën Elbasan-Vlorë. Ishte shofer me përvojë. U trondita kur mora vesh lajmin e vdekjes së tij, thotë Engjëll Bimo. Dhe menjëherë pas kësaj fjalie ai gjen edhe shkakun e aksidentit: Me siguri që do të ketë pësuar ndonjë atak kardiak, pasi që atëherë ka pasur shqetësime nga zemra. Unë kisha dhe një lokal në rrugën që ai bënte përditë me autobus dhe ai ndalonte përherë te mua. Më pas e ruajtëm miqësinë ndër vite dhe takoheshim herë pas here. Ishte njeri që nuk trazonte askënd. Në punë të tij, në hall të tij. Gjynah që iku. Bimo përjashton dyshimin që shoferi Çela mund të ketë qenë i pirë apo që mund të ketë qenë duke ecur me shpejtësi. Sipas tij, Çela i njihte prej 25 vitesh ato rrugë dhe e dinte që nuk mund të ecte me shpejtësi. Pëllumbi dinte me detaje çdo pëllëmbë rruge. Dinte se kur duhet ecur më shpejt dhe kur më ngadalë. Jam krejt i bindur që diçka ka ndodhur me shëndetin e tij. Sa për alkool, jua garantoj unë që nuk ka qenë i pirë. Sepse Pëllumbi nuk pinte asnjëherë. Për shkak të problemeve në zemër ai nuk konsumonte pije alkoolike. Pinte vetëm kafe ose diçka freskuese, thotë miku i tij, Engjell Bimo, ndërsa e cilëson të ndjerin Çela si njeri korrekt, të qetë dhe shumë të arsyeshëm. Sakaq, Bimo përpiqet edhe të argumentojë mënyrën e zhvillimit të aks

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›