E Diel, 1 Nëntor 2026

Abetarja, apeli i kryeministrit Berisha: Fqinjët të çlirohen nga shqiptaro-fobia

Është zhvilluar dje në Prizren ceremonia e promovimit të abetares së përbashkët Shqipëri-Kosovë. Tashmë duke filluar që nga 1 shtatori i këtij viti, me këtë tekst të unifikuar nxënësit e klasave të para të Shqipërisë dhe Kosovës do të mësojnë të lexojnë dhe të shkruajnë gjuhën shqipe me një abetare të përbashkët.
Ceremonia
Ceremonia e promovimit të Abetares së përbashkët u zhvillua në Qendrën Sportive Sezai Surroi, ku përveç kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, ishin të pranishëm edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri kosovar Hashim Thaçi. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaci gjatë fjalës së tij në ceremoninë e promovimit të abetares së përbashkët Shqipëri-Kosovë, e cilësoi një ditë historike për të gjithë shqiptarët. Ndërkohë, kreu i qeverisë shqiptare Sali Berisha u shpreh se shqiptarët kudo që ndodhen janë të vendosur të bashkohen në BE, ndërsa nuk nguroi ti bëjë thirrje fqinjëve të çlirohen nga shqiptarofobia dhe veprimet primitive.
Abetarja
Më 24 prill të këtij viti u përzgjodh teksti fitues për Abetaren e përbashkët Shqipëri-Kosovë. Teksti i përzgjedhur ka si bashkautorë, Shezai Rrokaj, Mimoza Gjokutaj dhe 2 përfaqësuesit nga Kosova Islam Krasniqi dhe Saranda Kumonova Pozhegu. Ndërsa grafika është realizuar nga Lorenc Buzi. Përzgjedhja është bërë nga komisioni vlerësues me përfaqësi të dy palëve. Në garë ishin 13 Shtëpi Botuese, nga të cilat fituese është shpallur Shtëpia Botuese Pegi dhe shoqëria Dukagjini. Unifikimi i teksteve shkollore është një nisme mes dy ministrive të Arsimit të Shqipërisë dhe Kosovës, që do të vijojë edhe me tekste të tjera shkollore.
Berisha
Kryeministri Berisha i pranishëm në ceremoninë e inagurimit të Abetares së përbashkët Shqipëri-Kosovë, që u mbajt në Prizren, deklaroi se kjo është dhurata më e bukur që i bëhet kombit tonë në 100-vjetorin e Pavarësisë. Falënderoj përzemërsisht hartuesit për këtë kryevepër që i dhuruan sot fëmijëve të kombit tonë, Abetaren e parë të njehsuar, të bashkuar, e cila vjen sot këtu në këtë sallë si një vepër e rrallë e shqiptarëve që ka endur në shekuj për të ardhur tek ju, fëmijët e Prizrenit, fëmijët e kombit shqiptar. Ajo mban ëndrrën e dhjetëra qindra gjeneratave të shqiptarëve, të cilët donin të kishin një Abetare të përbashkët. Mban sakrificat që në kohët e Skënderbeut e deri në luftërat për çlirim të Kosovës e Maqedonisë. Mban idealin e bashkimit si ideali i përjetësisë kombëtare, deklaroi Berisha.
Apeli për fqinjët
Kryeministri Berisha deklaroi se shqiptarët kudo që ndodhen janë të vendosur të bashkohen në BE, ndërsa nuk nguroi ti bëjë thirrje fqinjëve të çlirohen nga shqiptaro-fobia dhe veprimet primitive. Ne nuk jemi kombi i zgjedhur i zotit, por jemi në të drejtën tone, ne jemi në trojet tona. Sot më të vendosur se kurrë që të punojmë për projektin e bashkimit të shqiptarëve në kuadër të projektit të BE. Të punojmë për paqen e stabilitetin në rajon e më gjerë. I themi fqinjëve, çlirohuni nga shqiptarofobia, ajo është një mbeturinë e primitivizmit të së kaluarës suaj! Shqiptarët janë komb miqësor. U bëj një thirrje nënave të mrekullueshme shqiptare kudo që janë nga Alaska në Afrikën e Jugut, krahas qumështit, të mos harrojnë pas tij abetaren shqipe, komentoi Berisha.
Thaçi
Ndërsa kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi gjatë fjalës së tij në ceremoninë e promovimit të abetares së përbashkët Shqipëri-Kosovë, e cilësoi këtë ngjarje, një ditë historike për të gjithë shqiptarët. Më lejoni të uroj këtë ditë të madhe për shqiptarët. Sot është një ditë historike për kombin, kulturën dhe qytetërimin shqiptar. Sot ju prezantojmë abetaren e përbashkët të shqiptarëve, të ardhmen e kombit shqiptar. Kjo është arritje historike. Është abetarja e parë e përbashkët e autorëve nga Shqipëria dhe Kosova. Urime!, uroi kryeministri i Kosovës. Sipas Thaçit fati i abetares është i njëjtë me fatin e shqiptarëve, dhe falë përpjekjeve shekullore tashmë shqiptarët do kenë një gjuhë dhe një flamur. Në themele të Rilindjes qëndron patrioti Naum Vexhilharxhi, fati i librit ishte i ngjashëm me fatin e popullit shqiptar. Sot pas 100 vjetësh shteti shqiptar është vend demokratik anëtar i NATO dhe me perspektivë për në BE. Sot Kosova ka hyre në 13 vjetorin e lirisë dhe 5 vjetorin e pavarësisë. Kosova ka të ardhme të ndritur. Abetarja e përbashkët është një përpjekje e jona shekullore, dhe shqiptarët tashmë do kenë abetare të përbashkët gjuhë dhe flamur, deklaroi Thaçi.

Rama: Të unifikohet gjithë sistemi arsimor
Kreu socialist Edi Rama ka kërkuar një sistem arsimor unik mes Kosovës dhe Shqipërisë. Në rrjetin social, Twitter, duke përshëndetur abetaren e përbashkët Shqipëri- Kosovë, Rama thotë se shteti shqiptar ka bërë fare pak në drejtim të sistemit unik arsimor. Shqiptarët e gjeneratës së re në Shqipëri e Kosovë meritojnë të arsimohen në një hapësirë të përbashkët të marrjes së dijeve. Ne do ta bëjmë! Përmes programit për një Rilindje Shqiptare ne do të ecim shumë shpejt drejt sistemit arsimor unik në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës. Shumë mirë Abetarja e përbashkët. Po fare pak nga ana e shtetit shqiptar në drejtim të një sistemi arsimor unik në kaq vite liri për Kosovën, shkruan Rama në rrjetin social.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›