Rama: Berisha po bën shurdhin! Dule: Ta rrëzojmë në Kuvend
Edi Rama në vijim të konsultimeve për zgjedhjen e presidentit të ri ka pritur dje në zyrën tij kreun e PBDNJ-së Vangjel Dule. Dy protagonistët folën pas takimit dhe u shprehën se vendit i duhet një president konsensual. Rama tha se Berisha po bën shurdhin ndaj thirrjes së opozitës dhe për këtë do të ketë pasoja në integrimin e vendit. Kreu i PBDNJ-së vuri në dukje se mbështet Fatos Nanon për president dhe se është i gatshëm ti bashkohet nismës së opozitës për një mocion mosbesimi ndaj qeverisë nëse arrijnë votat e nevojshme.
Qëndrimi i Ramës
Pas takimit me kreun e PBDNJ-së Vangjel Dule, lideri i opozitës Edi Rama deklaroi se duam një President të Republikës së Shqipërisë, dhe jo një President për kryeministrin. Në prononcimin e tij të shkurtër për mediat, kryetari i PS-së tha se në këto ditë vendimtare për fatet e vendit, politika shqiptare duhet ti japë zgjidhje dy detyrimeve kyç, reformës zgjedhore dhe procesit të zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës. Na duhet një reformë zgjedhore e dakorduar brenda 24 majit në unison me bashkësinë ndërkombëtare që po bën çmos të na ndihmojë. Ashtu siç na duhet një president që të mishërojë unitetin e kombit, tha Rama. Shefi i opozitës akuzoi kryeministrin se po bën shurdhin, në një moment kur vendit i duhet një President i Republikës së Shqipërisë i zgjedhur përmes një procesi konsensual.
Dule flet për mocion
Ndërkohë, Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut Vangjel Dule ka ripërsëritur qëndrimin e tij se kandidatura e Fatos Nanos për Presidentin e ri të Republikës është kandidatura që plotëson kriteret e konsensusit politik në vend. Ne jemi shprehur publikisht dhe vijojmë ti qëndrojmë opinionit se Fatos Nano është një kandidaturë që i plotëson të gjitha kushtet për të zgjedhur një president që do të jetë koherent sipas gërmës së Kushtetutës dhe garant i funksionimit të shtetit sipas Kushtetutës dhe garant i aspiratës integruese të vendit, theksoi Dule. Duke nënvizuar se mbështetja ndaj Fatos Nanos mbetet e pandryshueshme, Vangjel Dule tha se PBDNJ është kundër çdo veprimi të njëanshëm politik, sikundër konsideroi ai një kandidaturë të PD-së për president. Në këtë kontekst, kreu i PBDNJ-së theksoi se palët në këtë moment historik për vendin duhet të gjejnë konsensus dhe jo të shohin interesat vetjake. Jemi optimistë se i gjithë synimi dhe aktiviteti i përfaqësuesve diplomatikë në vendin tonë do të na sensibilizojë se shansi i vetëm për të arritur aspiratat strategjike është vetëm konsensusi si për zgjidhjen e reformës zgjedhore dhe për zgjedhjen e Presidentit. Gjithçka e arritëm kur konkluduam me konsensus. Kur nuk kemi konkluduar me konsensus kemi humbur dy herë statusin e vendit kandidat. Të jemi të qartë se komisioneri për Zgjerimin ka cilësuar jetike përmbushjen e reformës deri në 24 maj do të thotë se koha historike në këto momente është e ngjeshur, dhe kësaj kohe duhet ti përgjigjemi duke vënë në krye interesat e vendit, tha Dule. Kreu i PBDNJ-së foli edhe për mocionin e mosbesimit të qeverisë, duke nënvizuar se kjo e drejtë zbatohet shpesh në vendet demokratike, andaj ai u shpreh se është i gatshëm të përfshihet në këto debate kur të nisin. I pyetur nëse Shqipëria duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, Vangjel Dule nënvizoi se kjo pyetje i bëhet tre vjet me vonesë kur ai qëndrimin kundër kësaj qeverie e ka shprehur edhe në krye të formimit të saj.
Detaje
Rama
Na duhet një Reformë Zgjedhore e dakordësuar dhe e miratuar përpara 24 majit në unison me të gjithë bashkësinë ndërkombëtare, që po bën çmos të na ndihmojë, por që kërkon që të ndihmojmë veten. Ashtu sikundër na duhet një President i cili të jetë mishërim i unitetit të kombit, në këtë periudhë historike kur shqiptarët si komb kanë nevojë të shkojnë së bashku përpara dhe njëkohësisht të jenë kontributorë të mëdhenj të gjithshkaje i duhet vetë rajonit. Jemi në kushtet kur kryeministri bën shurdhin. Do një president për veten. Ndërkohë që ne duam një President për Republikën e Shqipërisë.
Dule
Jemi optimistë se i gjithë synimi dhe aktiviteti i përfaqësuesve diplomatikë në vendin tonë do të na sensibilizojë se shansi i vetëm për të arritur aspiratat strategjike është vetëm konsensusi si për zgjidhjen e reformës zgjedhore dhe për zgjedhjen e Presidentit. Gjithçka e arritëm kur konkluduam me konsensus. Kur nuk kemi konkluduar me konsensus kemi humbur dy herë statusin e vendit kandidat. Të jemi të qartë se komisioneri për Zgjerimin ka cilësuar jetike përmbushjen e reformës deri në 24 maj do të thotë se koha historike në këto momente është e ngjeshur, dhe kësaj kohe duhet ti përgjigjemi duke vënë në krye interesat e vendit.
Reagon PD: Nuk pranojmë ultimatumet
e Ramës për presidentin
Nëpërmjet një deklarate për mediat, zëdhënësja e selisë blu, Silvi Bardhi, bëri me dije se mazhoranca nuk do pranojë ultimatumet e kreut të opozitës për çështjen e presidentit. “Zoti Rama në një seri deklaratash ultimative shprehet se ai do të bojkotojë Parlamentin për të bllokuar sërisht siç bëri dy vjet me radhë procesin e integrimit pasi ai nuk pranon kandidaturë për president nga partia Demokratike, nuk pranon rekomandimet e ODHIR për procesin e votimit dhe kërkon që kryetarin e KQZ-së ta përzgjedhë me Ombudsmenin e tij. PD nuk pranon asnjë ultimatum dhe aq më tepër deklaratat e zotit Rama se ai nuk do të pranojë kandidat për president nga Partia Demokratike sepse në logjikë dhe mendësinë e bllokmenëve të rinjë, demokratët janë armiqtë të sojit të tyre”, deklaroi zëdhënësja e selisë blu.
PS kërkon të ndryshoj Kolegji Zgjedhor
Kolegji i ardhshëm zgjedhor nuk duhet të përmbajë asnjë emër nga ata që gjykuan zgjedhjet e 2009 dhe 2011. Kjo është kërkesa thelbësore e socialistëve e hedhur dhe në kod për ankimimin e procesit zgjedhor. Kolegji përpos ndryshimeve, vijon të mbetet me 8 anëtarë të përzgjedhur nga KLD me short mes të gjithë gjyqtarëve të gjykatave të Apelit në vend. Por, këtë herë u hiqet e drejta dy partive të mëdha të kundërshtojnë emrat e dalë nga kutia e shortit, siç bëhej deri më tani. “Nuk përfshihen në shortin e hedhur gjyqtarët në detyrë të Kolegjit Zgjedhor?, kanë sanksionuar socialistët, të cilëve megjithatë, iu refuzua kërkesa. Socialistët nga ana e tyre, heqin dorë nga paragrafi që specifikonte rastet kur hapen kutitë e materialeve zgjedhore, gjë e cila, shënoi pikënisjen e bllokimit të punës së komisionit. Kanë zgjedhur të rregullojnë këtë çështje në një tjetër nen të kodit, i cili sanksionon të drejtën e pakundërshtueshme të dy anëtarëve të KQZ-së për të hapur kutitë. Në nenin 136, saktësohet se kjo kërkesa nuk hidhet në votim, siç ndodhi në 2009, por procedohet menjëherë. Të majtët kërkojnë, që, për çdo ankesë të regjistruar në librat e protokollit të komisioneve të niveleve më të ulta, për numrin e fletëve të votimit, pavarësisht faktit, që, kutia e votave mund të mos jetë e dëmtuar ose e shpallur e pa rregullt, ajo të hapet.
Edhe ky formulim i kapitullit të ankimeve së bashku me atë për KQZ-në dhe identifikimin e zgjedhësve, u kundërshtua nga maxhoranca.