Komuniteti LGBT bën paradën e parë, muslimanët protestojnë
Në ditën ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Transfobisë përfaqësuesit e ambasadës Pink dhe disa nga diplomatët më të rëndësishëm në vend, kanë kërkuar sensibilizimin e popullatës dhe politikës që të mos gjykojnë dhe të mos shkelin asnjë të drejtë te personave me orientim të ndryshëm seksual. Sipas tyre, respektimi i të drejtave të këtij komuniteti, është edhe pjesë e 12 prioriteteve që Shqipëria duhet të përmbushë për integrimin evropian.
Ambasadori Arvizu
Ndërsa ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu dhe ai i Holandës, Van den Dool kanë thënë se dalja në publik e këtij komuniteti është progres për Shqipërinë. Sipas tyre nuk është koha të fshihen më, por të jetojnë të barabartë dhe të luftojnë paragjykimet duke treguar se kush janë. “Dua të përgëzoj kryeministrin Berisha që e ka të qartë pozicionin e Shqipërisë për të drejtat e LGBT. Mbrojtja e të drejtave të LGBT është prioritet kyç për politikën e jashtme të SHBA-së. Presidenti Obama lëshoi një direktivë për të siguruar të gjitha ambasadat në mbarë botën të promovojnë të drejtat e njeriut dhe të personave LGBT”, tha Aleksandër Arvizu, Ambasadori i SHBA.
Ambasadori holandez
“Mendoj se frika dhe paragjykimi burojnë të dyja nga mungesa e të kuptuarit, dhe mungesa e informacionit. Prandaj kjo është një nga sfidat e radhës për komunitetin LGBT në Shqipëri. Drejtohuni miqve tuaj, familjeve tuaja, kolegëve tuaj, politikanëve tuaj, mundohuni të kuptoni paragjykimet që ata mund të kenë dhe tregojuni se kush jeni, u shpreh Henk Van Den Dool, Ambasador i Holandës.
Legjislacioni
Ndryshe nga vite më parë kur Ambasada Pink i ka kërkuar të drejtat e këtij komuniteti në salla konferencash, dje ata kanë zgjedhur të dalin në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në tubimin e komunitetit LGBT ishte edhe zëvendës-Ministrja e Punës dhe Çështjeve Sociale, Filloreta Kodra, e cila garantoi se tashmë është hartuar një program pune për rishikimin e legjislacionit, ndërsa do të ndërmerret një fushatë e gjerë kundër diskriminimit seksual.
Muslimanët në protestë kundër LGBT
Me parulla si pro natyrshmërisë, kundër perversitetit, forumi i muslimanëve shqiptarë manifestoi në mbrojtje të vlerave të familjes. Ky tubim u mbajt në të njëjtën orë me atë që u organizua në mbrojtje të të drejtave të lezbikeve, geive, biseksualëve dhe transeksualëve dhe në një distancë jo të largët nga njëri-tjetri. “Jemi kundër diskriminimit, por mbrojmë familjen, mbrojmë jetën”, ky në fakt ishte mesazhi i këtij manifestimi. Edhe qytetarët e pranishëm vlerësuan rëndësinë e familjes dhe ruajtjen e saj. Organizatorët e tubimit, në fund bënë thirrje për tu shpërndarë qetësisht, pasi siç thanë ata, ajo që u synua ishte përcjellja e vlerave dhe promovimit të familjes.
Ksera: Do ndryshojë Kodi i Punës,
kontrata edhe për homoseksualët
Ministria e Punës u kërkoi të gjithë punëdhënësve që të hartojnë kontratat kolektive të punës. Në Shqipëri ekzistojnë afro 500 kontrata kolektive pune sipas kategorive. Tetë kontrata kolektive pune mes Federatave dhe ministrive të linjës, të cilat mbulojnë 74 mijë e 356 punonjës, njëmbëdhjetë kontrata kolektive ndërmjet Federatave dhe institucioneve publike, dhjetë kontrata kolektive me Koorporatat e mëdha si dhe 463 kontrata kolektive në nivel ndërmarrjeje. Këto ditë, grupi i punës për rishikimin e Kodit të Punës do të nisë takimet me ekspertët e Organizatës Ndërkombëtare të Punës me qëllim që të sjellë një legjislacion pune në përputhje me Konventat ndërkombëtare dhe legjislacionin evropian të punës. Ndryshimet e tij priten të shtojnë sanksionet për punëdhënësit që nuk hartojnë kontrata për punëmarrësit. Gjithashtu rishikimi i Kodit do të përfshijë edhe garantimin e të drejtave të personave me orientim të ndryshëm seksual në tregun e punës.
Totozani apel politikës për mbështetjen e personave LGBT
Avokati i Popullit Igli Totozani është bashkuar dje me amsadorët e akredituar në vendin tonë për të mbështetur komunitetin LGBT që jeton në Shqipëri. Në fjalën e tij në ditën kundër Homofobisë ai u shpreh: Sot jemi këtu për një aktivitet shumë të rëndësishëm, të organizuar për Ditën Ndërkombëtare të Homofobisë dhe transfobisë. Ne dimë tashmë që të drejtat dhe liritë themelore të komunitetit LGBT, janë përfshirë brenda Rekomandimit 11 te BE Liritë dhe të drejtat e njeriut duke qenë kësisoj vendimtare për procesin e Integrimit të Shqipërisë në BE, tha Totozani. Institucioni i Avokatit të Popullit, bën sërish thirrje për angazhim maksimal të të gjitha autoriteteve shtetërore përgjegjëse që sipas fushës së tyre të veprimit të hartojnë politika për mbrojtjen nga diskriminimi të komunitetit LGBT, si dhe të zbatojnë detyrimet e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.