Për lirinë individuale dhe bërthamën sociale të njeriut
Nga Gëzim Tushi
Padyshim, në shoqërinë tonë sjellja e paqartë e njeriut midis prirjes së thellë individualiste dhe nevojës për të garantuar një masë të arsyeshme të bërthamës sociale të personalitetit të tij, është bërë problem i madh shoqëror, çështje filozofike dhe problem sociologjik më vete. Mungesa e ekuilibrave midis këtyre dy anëve kontradiktore tek njeriu i kohës modern universalisht ka filluar të shfaqet gjithnjë e më shumë si shqetësim i madh shoqëror. Në të vërtetë duke e parë këtë çështje në aspektin kontekstual të fenomenologjisë së vet të pasqyruar në realitetin tonë social, në se sjelljet e njeriut në shoqërinë shqiptare do ti gjykojmë pa paragjykime dhe influenca të deformuara të imitimit të modernitetit, do të duhet të pranojmë se shumica e problemeve me të cilat ndeshemi, është e lidhur me faktin se tek disa njerëz po shfaqen deformime të thella esenciale që duhet trajtuar, vlerësuar dhe interpretuar drejt.
Sepse po përballemi me fenomene sociale shqetësuese që vijnë nga konceptimi semplist i modernitetit dhe nevojës për një unitet të ri të njeriut, midis prirjes së thellë individualiste dhe nevojës për të patur një bërthamë sociale më të spikatur. Nuk ka dyshim që shumë njerëz janë në pozicione personale të gabuara ose qëndrime individuale të njëanshme nga që ata në emër të lirisë, të kuptuar si mungesë përgjegjësie sociale dhe të theksimit të individualizmit si bërthamë e vetme e njeriut modern, po aksentojnë tërësisht sjellje eksentrike individuale. Që në shumicën e rasteve nuk janë qëndrime indiferente apo qëllim në vetvete, por gjithnjë janë të shoqëruara me veprime individuale me natyrë destruktive të shfaqur dukshëm dhe me thelb të aksentuar asocial.
E tërë kjo situatë sipas mendimit tim, është e lidhur me procesin masiv të deformimit evident të ekuacionit bazë të jetës dhe deformimit të tipologjisë dhe mënyrave të ndërtimit të sjelljes, formimit të personalitetit të njeriut. Me sa duket, koha moderne megjithë favorizimin progresiv që i bën forcimit të bërthamës individuale të njeriut, nuk duhet kuptuar si kusht që patjetër dhe fatalisht favorizon dhe ndihmon krijimin e njeriut asocial dhe me natyrë eksentrike. Edhe koha moderne, megjithë ndryshimet që ka pësuar ekuacioni i jetës në favor të afirmimit të individit, theksimit të identitetit të bërthamës individuale të tij, përsëri nuk është kundër të vërtetës së përjetshme, se njeriu normal që është vërtetë më i lirë, por është në çdo rast qenie sociale nga që jeton me të tjerët në shoqëri.
Ndaj janë përsëri të pranishme dy anët e përjetshme të ekuacionit të jetës, të mbështetur tek njeriu i përbërë nga dy bërthama të lidhura midis tyre: individuale dhe sociale.
Të cilat në kohën e sotme duhet të jenë në lidhje dhe të harmonizuara ndryshe. Ekuacioni i njeriut është ontologjikisht normal në se vendos në vendin e duhur konceptin themelor të njeriut si qenie e përbërë nga këto dy bërthama të rëndësishme, që janë të pandara nga njëra tjetra. Të cilat në jetën e përditshme shfaqen në formën e tyre si bërthamë biologjike personale e kërkesave të njeriut, dhe bërthama sociale, që ka të bëjë me mënyrën si i ndërton ai sjelljet dhe marrëdhëniet në shoqëri.
Padyshim, në këto dy dekada në ndërtimin e ekuacionit të jetës të bazuar mbi modernitetin, individualizmin, lirinë dhe socialitetin, pavarësisht problemeve duket se kemi ecur në rrugën e duhur. E cila sipas meje ka qënë kusht social madhor që ka ndikuar që përparimi i individit drejt lirisë dhe individualizmit dhe konsolidimi i shoqërisë shqiptare, të ishin në të njëjtën gjatësi vale me atë proces të cilin filozofi spanjol Josep Ramoneda, e quan punë për rikuperimin e dinjitetit të individit. (Josep Ramoneda, Fundi i pasionit politik, f 42) Por duke analizuar më thellë situatën e sjelljeve sociale dhe duke vlerësuar fenomenologjinë dhe mënyrat e deformuara të shfaqjes së ekuacionit të lidhjes midis bërthamës biologjike dhe bërthamës sociale, duket se ka disa tregues që flasin se jemi duke ecur jo në rrugën e duhur të harmonizimit brenda njeriut të këtyre dy bërthamave.
Këtë e tregon fakti që gjithnjë e më shumë po përballemi me deformime të natyrave të ndryshme të pamjeve të këtij ekuacioni jetik, i cili ka ndikuar që njeriu në shoqërinë tonë është duke zmadhuar në mënyrë të njëanshme veten si qenie individuale duke u reduktuar në të njëjtën kohë si qenie sociale. Madje, zgjerimi i bërthamës së kërkesave dhe dëshirave personale dhe dominimi absurd i tendencës për theksim evident të bërthamës individuale mbi atë sociale, nganjëherë justifikohet me prirjet dhe tendencat e pakthyeshme të modernitetit. Kjo është arsyeja pse ka pak shqetësim për zbehjen e natyrës sociale të njeriut, për tretjen e dukshme të bërthamës sociale, e cila e vlerësuar në mënyrë të njëanshme, e konsideruar si prirje e pakthyeshme progresive, konsiderohet si orientim bazë për njeriun. I cili jo vetëm që është duke mbivlerësuar bërthamën biologjike individuale, por akoma më shumë, atë po e bën tendencë të theksuar të personalitetit, duke u justifikuar në emër të lirisë, kërkesave të modernitetit dhe nevojës së afirmimit të individualitetit.
Këtë konkluzion sociologjik e nxjerrim jo arbitrarisht, as duke i vlerësuar realitetet e ekuacionit të njeriut nga jashtë, por duke vlerësuar me objektivitet se mënyra e të jetuarit dhe realitetet e trajtave të subjektivimit të njeriut, të cilat janë të tilla që e kanë spostuar njërën anë të ekuacionit social, duke spostuar dhe zbehur bërthamën sociale të marrëdhënieve të njeriut nga që ata janë duke mbivlerësuar vlerën e bërthamës individuale biologjike, të kënaqësive materiale të izoluara nga të tjerët, të personalizuara në formën e dëshirave të ngushta individuale. Duhet pranuar se shoqëria jonë është përballë me disa realitete, që të bëjnë që të mendosh me shqetësim, se deri ku tendenca e zbehjes së bërthamës sociale të njeriut në shoqërinë tonë është e natyrale, progresive, nxitëse dhe individualisht e lejuar. Doemos shqetësues është fakti që njeriu i sotëm e ka të vështirë, në mos të pamundur, të vërë kufirin e duhur bashkëpunues dhe përjashtues të këtyre dy bërthamave individuale dhe sociale. Të cilat në një farë mënyre janë baza ekzistenciale e ndërtimit normal të ekuacionit të jetës së çdo njeriu në shoqërinë tonë.
Pse është në zgjerim të vrullshëm, pse kjo prirje e thellë e zgjerimit të bërthamës individuale, e cila në të shumtën e herëve është e shoqëruar me zbehjen e bërthamës sociale të njeriut, madje e shoqëruar me tendencën e fortë të asocialeitetit? Nuk është i lehtë diktimi i defekteve të këtij ekuacioni nga individët veç e veç. Sepse kjo patologji sociale është e vështirë për tu shëruar dhe korrigjuar, nga që në përgjithësi, ajo jo vetëm shfaqet dukshëm, por mbi të gjitha justifikohet si tendencë sociale e mirë. Ky iluzion social shpesh është i maskuar me ambalazhet e modernitetit. Kjo situatë duhet vlerësuar seriozisht nga shoqëria jonë dhe instrumentet dhe organizimet e jetës sociale ku aderon dhe familjarizohet njeriu. Kjo do të thotë që në shoqërinë shqiptare tani është më e nevojshme se kurrë që të ndikojmë, që në jetën e përditshme të krijohen kushtet sociale dhe të funksionojnë disa mekanizma socialë, në mënyrë që mbi këtë bazë të bëhet e mundur që cdo njeri të rishikojë ekuacionin personal të lidhjes midis dy bërthamave si kusht për ndërtimin normal të parametrave personal dhe social të të jetuarit.
Ky është kushti për të ndërtuar nga njëra anë shoqërinë e mirë dhe nga ana tjetër, është kondita sine qua non, për të ripërcaktuar më drejtë lidhjen progresive midis bërthamës individuale dhe bërthamës sociale, duke qenë në gjendje për të ndërtuar optimumet e duhura dhe vendosur lidhje të drejta midis kufijve të jetës soci