E Diel, 1 Nëntor 2026

Abidal: Kjo java vendimtare e Barcës


Mbrojtësi i Barcelonës, Eric Abidal beson se kjo javë do ta ndërtojë ose shkatërrojë sezonin e Barcelonës.

Të martën Barca pret në fushë të vet Arsenalin në ndeshjen e kthimit të çerekfinales së Ligës së Kampionëve, pasi barazoi me rezultat 2-2 në Emirates Stadium.

Ekipi i trajnerit Pep Guardiola më pas udhëton në Bernabeu të shtunën për t'u përballur me rivalin e hidhur Real Madrid në 'El Clasico', ndeshje kjo që mund të jetë vendimtare për titullin e kampionatit spanjoll.

"Ne po luajmë për gjithë sezonin këtë javë. Para ndeshjes me Madridin është ndeshja e rëndësishme e Ligës së Kampionëve dhe një mënyrë e mirë për ndeshjen e të shtunës është të kualifikohemi në gjysmëfinale".

"Ne jemi kampionë dhe duhet të luftojmë shumë për këtë trofe. Për mua është ndeshja më e rëndësishme e sezonit dhe veçanërisht në shtëpi nuk mund të rrëshqasim. Do të kemi më shumë vetëbesim dhe do të jemi më të fuqishëm për ndeshjen e të shtunës nëse fitojmë (të martën)", ka thënë Abidal.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›