E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turpi i Kupës

Sigal Prishtina është fituese e Kupës së Kosovës për sezonin 2009-10, pasi në finale, të dielën mbrëma në Mitrovicë e mposhti Trepçën me rezultat 70:59. Kjo ishte hera e gjashtë rresht që bardh e kaltrit e rrëmbejnë këtë trofe të çmueshëm.

Por, ajo që ndodhi në fund të ndeshjes me të vërtet i qiti hije të keqe gjithë këtij spektakli të basketbollit. Tifozët mitrovicas, të zhgënjyer me ekipin e tyre, bënë veprime të turpshme në minutën e fundit të ndeshjes, duke hedhur gjësende të forta, deri tek karriget, dhe në fund, njëri prej tyre shkoi aq larg, sa për ta thyer edhe vet Kupën.

Sjelljet e tyre ishin të pahijshme edhe gjatë lojës, duke i fyer gjyqtarët, kundërshtarin, por edhe duke bërë fyerje raciste ndaj dy basketbollistëve me ngjyrë të prishtinasve.

Ndeshja filloi me një minutë heshtje për nder të Isuf Lumit, ish sekretar i përgjithshëm i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), i cili ndërroi jetë të enjten.

Më pas, tifozeria prishtinase, për shkak të hedhjes në parket të gjësendeve, u desh ta braktiste “me dhunë” Palestrën “Minatori”, pa filluar takimi. Çereku i parë përfundoi baras, 15:15, ndërsa pjesa e parë në përgjithësi i takoi mitrovicasve, që shkuan në pushim me avantazh prej 38:34.

Në fillim të periudhës së tretë, mitrovicasit e ngritën epërsinë deri në 10 pikë, 48:38, por një seri prej 8:0 e prishtinasve bëri që në fund të 10 minutëshit të tretë, rezultati të ngushtohej në vetëm një pikë, 53:52.

Periudha e fundit i takoi totalisht kampionëve të Kosovës, të cilët të prirë nga Edmond Azemi, shkuan 13 pikë përpara, 70:57 (rezultati më i thellë), kur edhe u përcaktua fituesi. Azemi njëherësh u zgjodh MVP (basketbollisti më i mirë) i këtij kompeticioni (18 pikë për të), kurse lojtari më i mirë i ri u zgjodh Drilon Hajrizi i mitrovicasve.

Triumf historik i Penzës
Klubi i basketbollit Penza, është fitues i Kupës së Kosovës në konkurrencën e femrave, pasi në finale e befasoi Bashkimin, duke e mposhtur me rezultat 78:72. Ky ishte një sukses historik për klubin pejan, por edhe për vet qytetin e Pejës, pasi në basketbollin e pasluftës, konkurrenca e femrave nuk kishte sjellë asnjë trofe.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›