Abortet, klinikat private nuk raportojnë për shifrat e sakta
Emanuela Sako
Ministria e Shëndetësisë ka mungesë në monitorimin e plotë të aktivitetin e klinikave private për abortet. Klinikat private nuk raportojnë të plota rastet e aborteve që kryhen në ambientet e tyre, ndërsa mjaft klinika funksionojnë pa licencën e MSH-së. Sipërmarrja e mjekëve për kryerjen e aborteve në këto klinika, mund të çojë në probleme tepër të mëdha për femrat për shkak të komplikacioneve të ndryshme që mund të ndodhin. Në sektorin privat, gjatë 3 muajve të fundit nga një gjinekolog janë kryer deri në 100 aborte, ndërsa në sektorin shtetëror nga një gjinekolog mund të kryhen deri në 50 të tilla. Ndërkohë që në klinikat private drejtohen vajza në moshën e adoleshencës, numri i të cilave është rritur vitet e fundit. Lidhur me problemet që shfaqen me abortet dhe planifikimin familjar, është kryer një studim nga Qendra Shqiptare për Popullsinë, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin e Shëndetit Publik, të cilët bënë dhe analizën e të dhënave. Vitin e kaluar në vendin tonë numëruan rreth 5500 aborte, të cilat i përkasin vetëm materniteteve. Në këtë shifër janë përfshirë një pjesë materniteteve në rrethe, ku bën pjesë Tirana dhe 4 maternitete të tjera.
Studimi
Të dhënat e studimit tregojnë se nuk njihet plotësisht aktiviteti që kryhet në klinikat private nga ana e mjekëve. Njëkohësisht, stafi mjekësor ka mungesë njohurish për metodat e reja, pasi mungojnë trajnimet dhe njohja me metodat bashkëkohore. Sipas studimit, 44 % e mjekëve të intervistuar në sektorin privat dhe 73.3 % e mjekëve të intervistuar në sektorin publik, e konsiderojnë abortin si një metodë të planifikimit familjar. Erjeta Dobi, koordinatore e Qendrës Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin, pohon se nga studimi vihet re se një pjesë e mjekëve të intervistuar, 29 % prej tyre, pohojnë se ligji i abortit ka mangësi dhe kjo është dëshmi që duhet ndërhyrë në legjislacion. Sipas Dobit, përsa i përket frekuencës së aborteve 3 muajt e fundit, 61.3 % e mjekëve pohojnë se ka më pak se 50 aborte, ndërsa 25.8 % e tyre, raportojnë 50-100 të tillë. Mungojnë protokollet e shkruara për të mbajtur një radhë pune dhe sugjerimet në lidhje me kryerjen e aborteve, për parandalimin e infeksioneve apo magazinimin e mjeteve dhe mbetjeve.
Çështja
Erjeta Dobi shprehet se po punohet për survejancën e aborteve në sektorin privat, pasi shumë herë të dhënat në këtë sektor humbasin. Ndërsa, përsa i përket përgatitjes së stafit për dhënien e këtij shërbimi, stafi mjekësor, i lartë apo i mesëm, që ofrojnë shërbimin shëndetësor të abortit, kanë nevojë për trajnim të vazhdueshëm. Qëllimi i studimit është analiza e hollësishme e situatës së abortit në Shqipëri, një vlerësim të njohurive, qëndrimet dhe sjelljes së të gjithë faktorëve që luajnë rol për procedimin e abortit, si dhe të klientëve që marrin shërbimin e abortit.
Moshat që kryejnë më shumë aborte janë nga 15 deri në 20 vjeç
Adoleshentet janë më të prirura drejt abortit dhe që shënojnë numrin më të lartë të tyre. Moshat dhe arsyet që çojnë në kryerjen e abortit janë të shumta dhe varen nga shtresat sociale që u përkasin këto vajza ose gra. Vendin e parë për kryerjen e aborteve e zënë moshat 15 deri në 25 vjeç. Arsyet mund të jenë nga më të ndryshmet, duke përfshirë shtatzënitë e padëshiruara në moshë të vogël, ndërprerja e shtatzënisë për arsye sociale (si problemet ekonomike), ndërprerja e shtatzënisë për probleme shëndetësore. Por për të ndërprerë shtatzëninë, duhet që të gjitha femrat t’i nënshtrohen disa rregullave ligjore. Po kështu edhe mjekët që do të marrin përsipër ndërhyrje. Sipas ligjit në fuqi, ndërprerja e vullnetshme e shtatzënisë bëhet vetëm nga mjeku specialist obstetër-gjinekolog në institucione shëndetësore shtetërore e private që plotësojnë kushtet. Mjeku të cilit i kërkohet ndërprerja e vullnetshme e shtatzënisë, që në vizitën e parë duhet të informojë gruan për rreziqet mjekësore që sjell ndërprerja e shtatzënisë për shtatzënitë e ardhshme, si dhe problemet biologjike të ndërhyrjes mjekësore. Në rast se gruaja, pas marrjes së informacionit të përmendur në përsërit kërkesën e saj për ndërprerjen e shtatzënisë, mjeku kërkon konfirmimin me shkrim të kërkesës. Ky konfirmim kërkohet pasi të kenë kaluar të paktën 7 ditë nga kërkesa e parë. Kur është e mundur, në këshillimin dhe marrjen e vendimit për ndërprerjen e shtatzënisë, merr pjesë edhe bashkëshorti ose prindi. Në rast se afati prej 7 ditësh bën që të tejkalohen afatet e përcaktuara në këtë ligj, mjeku mund të vendosë që ky afat të jetë të paktën 2 ditë. Institucioni shtetëror apo privat ku pranohet gruaja, duhet të përfshijë në kartelën e saj kërkesën dhe vërtetimin për respektimin e procedurave.
10 Korrik 2009