E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia, qendër ditore për fëmijët në nevojë



Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me fondacionin “Save the Children” sapo kanë përfunduar ngritjen në kryeqytet të "Qendrës Ditore për Mbrojtjen e Fëmijëve të rrugës”. Mjaft fëmijë janë të paarsimuar, të keqtrajtuar dhe në gjendje të vështirë ekonomike. Në këtë projekt ata do të trajtohen për plotësimin e kushteve më minimale me edukatën dhe njohuritë e përgjithshme. Burime nga Bashkia e Tiranës shprehen se projekti u realizua në kuadrin e programeve sociale për Shqipërinë dhe nëpërmjet programit synohet zbutja e një plage urbane, siç është lypja dhe shfrytëzimi i fëmijëve, mbrojtja e tyre dhe adoleshentëve të cilët jetojnë dhe punojnë në rrugë. Qendra ditore ndodhet në bulevardin “Zogu i Parë” dhe do të shërbejë për ngritjen e një rrjeti bashkëpunimi me institucionet publike dhe OJF-të, që kanë në fokus fëmijët dhe të drejtat e tyre. Aktiviteti i kësaj qendre ditore, do të ofrojë një kapacitet 30 deri në 40 fëmijë në ditë dhe projekti konsiston në përmbushjen e nevojave bazë për fëmijët e rrugës, kryesisht ato që kanë të bëjnë me shëndetin, higjienën, të ushqyerin dhe arsimimin e tyre. Pranë Qendrës do të veprojë edhe një njësi e terrenit, e cila do të identifikojë dhe do t’i kundërvihet çdo lloj veprimtarie të paligjshme që ka të bëjë me shfrytëzimin e fëmijëve. Fëmijët me probleme më të thella sociale janë ata që jetojnë në periferitë e Tiranës. Familjet e tyre janë të ardhura nga rrethe të ndryshme të vendit dhe nuk kanë mundësi ekonomike për trajtimin dhe edukimin në kushte normale si moshatarët e tjerë. Për të zbutur këtë fenomen të shoqërisë, do të shërbejë edhe qendra e re, e cila do të trajtoje dhe argëtojë çdo ditë këta fëmijë.

10 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›