Temperaturat e larta, mjekët këshillojnë shmangien e diellit
Temperaturat e larta të ditëve të fundit kanë bërë që qytetarët të shfaqin problemet e para nga qëndrimi në diell. Mjekët shprehen se çdo ditë drejtohen me dhjetëra qytetarë, të cilat kanë problemet të lëkurës nga qëndrimi në diell. Specialistët shprehen se ka shfaqje të mykut të lëkurës, infeksioneve të ndryshme, sëmundje të syve dhe të veshëve. Këto probleme shfaqen nga qëndrimi i tepërt në diell dhe nga ndotja e ujit të pishinave dhe detit. Për shmangien e këtyre problemeve mjekët rekomandojnë që qytetarët të shmangin diellin dhe vendet me ujë të ndotur. Njëkohësisht, nëse vënë re probleme në lëkurë, është e domosdoshme që të drejtohen tek specialistët për të shmangur përkeqësimin dhe acarimin e tepërt të lëkurës. Specialistët shprehen se duhet të shmangen qëndrimit në diell në oraret e pikut, nga ora 12.00 deri në orën 16.00 të pasdites. Mjekët shprehen se numri i qytetarëve që drejtohen çdo ditë në poliklinika ka arritur në 20 persona. Por, nga ana tjetër poliklinikat nuk janë të pajisura me mjetet dhe dhomat e trajtimit të të sëmurëve nga probleme që shkaktohen nga temperaturat e larta. Pacientët janë të detyruar që për çdo rast të drejtohen në spitalet qendrore, ku ka fluks të lartë të të prekurve rëndë. Ndërkohë që, mjekët shprehen se është e nevojshme që poliklinikat të kenë një dhomë shtesë dhe pajisjet e duhura për ndihmën e parë. Në të mund të trajtohen rastet e të fikëtit, rastet e rënies së tensionit, të cilat nuk është e nevojshme të trajtohen në Spitalin Ushtarak apo në QSUT. Kështu, stina e verës nxjerr më në dukje problemet që ka shëndetësia dhe problemet shëndetësore që kanë qytetarët.
10 Korrik 2009