E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Zgjedhjet e qeta, KQZ të respektojë ligjin

 

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka folur për herë të parë në lidhje me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 28 qershorit. Në pikëpamjen e kreut të shtetit, zgjedhjet në vend janë zhvilluar të qeta, por po ndjek me shqetësim mbarëvajtjen e procesit. “Nuk mund të rri pa shprehur të gjithë atë shqetësim me të cilin unë po ndjek të gjithë procesin. Mund t’ju them që zgjedhjet, duke marrë në konsideratë mënyrën e sjelljes së qytetarëve, një sjellje mjaft e civilizuar, dhe apelet e institucioneve më të rëndësishme, por edhe të partnerëve ndërkombëtarë, bënë që dita e zgjedhjeve të shkonte në mënyrë shumë të qetë”, tha Topi. Presidenti shtoi se fakti që nuk ka përfaqësues në KQZ, ndryshe nga vite më parë, nuk e lejon të shprehet i prerë, por kërkon që institucioni që merret me menaxhimin e zgjedhjeve të veprojë sa më parë për shpalljen e rezultatit. “Presidenti sot në këtë Komision nuk e ka përfaqësuesin e tij, padyshim që unë do të rri, sikurse të gjithë të tjerët, në ndjekje të këtij procesi, pa u prononcuar për ecurinë e këtij procesi, por duke bërë thirrje që KQZ duhet të jetë në respekt të Kushtetutës, në respekt të ligjit, në respekt të vlerësimit korrekt të vullnetit të qytetarëve për arritjen e atyre standardeve, të cilat ne i kemi shumë të nevojshme dhe për të cilat prononcohemi sot”, theksoi Topi. Në lidhje me sistemin zgjedhor që u aplikua, kreu i shtetit tha se, “nuk më takon mua natyrisht që ta them këtë. Nuk mund të luaj rolin e hipokritit të them që nuk e mendoj. E mendoj, e analizoj, e diskutoj, por apeli publik i Presidentit duhet të jetë shumë institucional, konstitucional, të mos interferojë në vullnetin e partive. Janë ata të cilët janë aktorë të Parlamentit që mund të ndjejnë nevojën për ta riparë apo jo. Pra, është çështje e vullneteve politike, që sot me këtë cilësi që kam natyrisht, që e kam absolutisht të ndaluar që të shprehem dhe të interferoj në vullnetin e partive”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›