E Diel, 1 Nëntor 2026

Abramov - Topallit: Shqipëria dhe Rusia kanë mundësi të pafundme bashkëpunimi

Kryetarja e Kuvendit takon Ambasadorin e ri të Federatës Ruse në Shqipëri, Leonid Abramov. “Shqipëria dhe Rusia kanë mundësi të pafundme bashkëpunimi”, tha sot Ambasadori i ri i Federatës Ruse në Shqipëri Leonid Abramov, duke sjellë mesazhin e diplomacisë ruse për një interes në rritje për thellimin e bashkëpunimit. Në takimin me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, ambasadori Abramov mori urimet e saj të përzemërta për detyrën e re, ndërsa tha se është koha për një fillim të ri të marrëdhënieve të nivelit të lartë mes dy vendeve. Kryetarja e Kuvendit shprehu bindjen se diplomacia dypalëshe do të njohë një perspektivë të re, duke theksuar se marrëdhëniet tona duhet të shohin nga e ardhmja. “Parlamenti është baza e marrëdhënieve mes vendeve dhe popujve”, tha ambasadori rus. Ai theksoi angazhimin e tij personal për të rritur bashkëpunimin parlamentar mes Dumës Ruse dhe Kuvendit të Shqipërisë. Kryetarja e Kuvendit nënvizoi se në këtë kohë globalizmi, diplomacia parlamentare është një faktor thelbësor bashkëpunimi duke shprehur interes për koordinimin e një axhende të shkëmbimeve parlamentare. Biseda u ndal edhe në bashkëpunimin ekonomik. Duke iu drejtuar kryetares së Kuvendit, ambasadori Abramov tha se “do të ishte një kënaqësi e veçantë, nëse ju do të gjenit pak ditë nga koha juaj për të ardhur në një vizitë të afërt zyrtare në Rusi.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›