Absurdi i Bashës: Sheshin Skënderbej do ta kthej për këmbësorët pas tre vitesh
Pasi rrëzoi projektin e paraardhësit të tij për sheshin Skënderbej, që parashikohej të shërbente vetëm për këmbësorët, Lulzim Basha ka parashikuar që ti rikthehet kësaj ideje. Vetëm se, kjo gjë do të ndodhë pas tre vjetësh.
Kjo gjë është deklaruar nga nënkryetari i bashkisë, Edmond Panariti. Ky i fundit ka thënë se punimet që po bëhen aktualisht në shesh janë vetëm për një periudhë tre vjeçare. Pas kësaj periudhe, bashkia do të bëjë një projekt të ri, që parashikon ta kthejë sheshin për këmbësorët, ndërsa sipas Panaritit, për automjetet do të krijohen kalime nëntokësore.
“Në projektet e Bashkisë, të cilat do pasqyrohen në planin e ri urbanistik, është edhe projekti i sheshit Skënderbej, i cili do të kthehet në një shesh për këmbësorët, por pa eliminuar lëvizjen e automjeteve që do të bëhen nëpërmjet rrugëve nëntokësore”, ka thënë Panariti.
Pra, ndërsa flaku rreth 4 milionë euro nga projekti i Ramës, me ndryshimin e projektit për sheshin, Lulzim Basha do ti rikthehet të njëjtit projekt për ta rikthyer sheshin për këmbësorët. Por, qytetarët e Tiranës duhet të presin edhe tre vjet të tjera.