Absurdi i arsimit të lartë
Fatos Çoçoli
Ndryshimet e dy viteve të fundit në sistemin e arsimit tonë të lartë kanë bërë që gati e gjithë armata e nxënësve që mbarojnë shkollat e mesme të përfundojë në bankat e universiteteve. Në pamje të parë, ngjan sikur ëndrra e çdo prindi për fëmijën e vet që të vazhdojë shkollën e lartë bëhet realitet. Dhe kuptohet që ditirambet për këtë i merr qeveria që zbatoi “reformën e mrekullueshme” në arsim. Mirëpo, për fat të keq, gëzimi që fëmija fillon universitetin është ngopje me lugë të zbrazët, një kënaqësi virtuale. Kjo, pse ai, në katër apo pesë vjet arsim të lartë, me këtë riorganizim të universiteteve publike, do të ketë shumë më pak gjasa për të marrë mësim të kualifikuar nga pedagogë të kualifikuar dhe në një sallë me numër normal studentësh. Stafet pedagogjike të universiteteve tona ishin krejtësisht të papërgatitura për këtë dyfishim të prurjes së studentëve. Po ashtu dhe ambientet e auditorëve, laboratorëve, punës në grup, lidhjeve me biznesin apo me institucionet e tjera që ofrojnë shërbime publike e private. Kjo trysni e jashtëzakonshme e numrit të studentëve, përveçse tejlodhjes së pedagogëve, do të ulë si ortek cilësinë e mësimdhënies dhe sidomos të kërkesës së llogarisë për përgatitjen e studentëve. Prej këtej, studenti ka fare pak mundësi të përgatitet si duhet. Edhe nëse e arrin këtë në sajë të përpjekjeve të tij individuale të jashtëzakonshme, diploma që do të marrë nuk është konkurruese. Me fjalë të tjera, nuk do t’i japë mundësi të sigurojë punë. Kjo për arsye se ndryshimet dhe shtimi i numrit të studentëve nëpër universitetet tona nuk kanë marrë parasysh një faktor jetik: sa të diplomuar në fushat e caktuara kërkon ekonomia dhe shoqëria jonë në tërësi? Është e papërgjegjshme të liberalizosh hyrjen në shkollat e larta kur nuk ke siguruar vende të mjaftueshme pune për studentët e shtuar. Pra, të rrisësh ofertën e të diplomuarve në treg, pa u siguruar se kërkesa për ta gjithashtu është e rritur. Kësisoj rrezikohet që të katër apo pesë vitet e mundimeve dhe sakrificave qoftë të studentëve, qoftë të prindërve të tyre, të shkojnë kot. Diploma e marrë shndërrohet në një copë letër që s’të hyn në punë. Është një investim kolosal kohe e parash i familjeve shqiptare dhe i vetë të rinjve që ka shumë pak gjasa për t’u përkthyer në vende të përshtatshme pune, në përputhje me arsimin e marrë. Po të ishte marrë parasysh ky faktor, pra se sa mund të thithin kuadro të rinj degë të ndryshme të ekonomisë dhe të shoqërisë në një vit, atëherë do të vihej një prag i natyrshëm i numrit të studentëve për fakultete të ndryshme. Ky prag do të nxiste konkurrimin, shtimin e egos për rezultate në shkollat e mesme. Por asgjë e tillë nuk po ndodh. Edhe pa u liberalizuar shkolla e lartë, të diplomuarit që dilnin gjenin vështirësi të jashtëzakonshme për t’u punësuar në sferat e tyre të specializimit. Mund të imagjinohet lehtë se sa do të mund të punësohen dyfishi i këtyre të diplomuarve dy apo tre vjet më vonë. Pa folur për ofertën në rritje që vjen nga ana e universiteteve private. Vërtet rritja e prodhimit dhe shërbimeve në sektorë të tillë si ndërtimi, turizmi apo agro-industria është domethënëse. Por ajo nuk është kurrë në shumëfisha dhe s’ka si të jetë. Prandaj dhe mungesa e pragut, liberalizimi i tij, përbën një thikë ngulur në zemër të rritjes së cilësisë së shkollës sonë të lartë, si dhe të shanseve të të diplomuarve për punësim. Me këtë të ashtuquajtur reformë në arsimin e lartë, praktikisht shtohet numri i të diplomuarve të papunë, shtohen streset dhe pasiguritë e të rinjve, si dhe grishen ata që të kërkojnë me të gjitha mënyrat emigrimin si e vetmja rrugë punësimi dhe shpëtimi. Periudha katër apo pesëvjeçare e kaluar në auditorët universitarë përbën fatkeqësisht për ta një kohë iluzore, një mashtrim të madh. Ndërsa nga dyndja pa kurrfarë qëllimi nëpër bankat e universiteteve, pakësohet ndjeshëm numri i atyre të rinjve të interesuar për shkollat profesionale, ku mund të gjejnë një punë të mirë në zanat për të ndihmuar familjen dhe njëkohësisht të vazhdojnë shkollën e lartë me sistemin me kohë të pjesshme studimi (në anglisht, part - time). Kur është pikërisht arsimi profesional që i shkon për shtat ekonomisë sonë, të bazuar në ndërmarrjet e vogla dhe ku stafi i ndërmarrjeve të mëdha apo kompanive gjigante është shumë i vogël. Shtimi i të diplomuarve, “të diplomuarit me shumicë”, sikurse shprehen me ironi vetë studentët, është tërësisht i pajustifikuar nga mundësitë për vende të reja të kualifikuara që ofron ekonomia dhe shoqëria jonë. Praktikisht një absurd i madh, me synim një ngopje virtuale elektorati me ëndrrën e të bërit të fëmijëve me shkollë të lartë. Pjesa më e madhe e këtyre të diplomuarve të rinj rrezikon të ngelet e papunë dhe të ëndërrojë veçse largimin një orë e më parë nga vendi, e pajisur me një copë diplomë që nuk vlen kurrgjë jashtë shtetit.
6 Nentor 2008