Xhon Mekein pranoi humbjen dhe uroi Barak Obamën
Pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, kandidati republikan Xhon Mekein mbajti një fjalim, ku pranoi se Barak Obama ishte fituesi i zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Senatori Xhon Mekein u tha përkrahësve në shtetin e tij Arizona, se e kishte telefonuar rivalin demokrat për ta përgëzuar, menjëherë pas numërimit të votave. Zoti Mekein tha se i kishte thënë zotit Obama se e admironte për aftësinë e tij për të frymëzuar shpresat e miliona amerikanëve. Ai siguroi se do të bënte gjithçka për ta ndihmuar zotin Obama që t’i bashkojë amerikanët dhe t’i kthejë vendit begatinë dhe sigurinë. “Kisha nderin ta telefonoja senator Obamën për ta uruar për fitoren. Të gjithë ne e duam presidentin tonë të ri dhe do ta mbështesim atë në punën e tij”, - u shpreh Mekein. Edhe presidenti i ardhshëm Barak Obama në daljen e tij të parë publike si president i SHBA-ve në Çikago tha se kishte marrë një telefonatë “jashtëzakonisht të hijshme” nga zoti Mekein. Ai e vlerësoi ish-të burgosurin e luftës në Vietnam si “udhëheqës trim dhe vetëmohues”. Mbështetësve republikanë në Arizona, Mekein iu drejtua me fjalët: “Dështimi ishte i imi dhe jo i juaji”.
Liderët botërorë urojnë Obamën për fitoren
Liderët botërorë kanë uruar gjatë ditës së djeshme senatorin Barak Obama për fitoren si president i ardhshëm i SHBA-ve, duke shprehur edhe dëshirën për bashkëpunim me administratën e re.
Fitorja e demokratit Obama u mirëprit nga kryetari i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso, i cili bëri thirrje për “marrëveshje të re për botën e së ardhmes”, të prekur nga kriza e rëndë financiare. “Kjo është një pikë kthese për SHBA-të. Mund të jetë pikë kthese edhe për botën”,- tha Barroso. Ndërkohë, presidenti francez, Nikolas Sarkozi, e konsideroi zgjedhjen e Obamës si një shpresë edhe për Europën, në kohën kur përballemi me sfida të mëdha. Kryeministri britanik Gordon Braun uroi Obamën për “politikat e tij energjike, vlerat progresive dhe vizionin e tij për të ardhmen”. “Ky është një moment që do të jetojë në histori, derisa librat e historisë të shkruhen”,- tha Braun. Ndërsa shefi i diplomacisë evropiane, Havier Solana, shprehu gatishmërinë e Bashkimit Europian për bashkëpunim me liderin e ri amerikan. “Botës sot i duhet ndryshimi. Ka shumë probleme në tavolinë dhe shpresojmë se do të punojmë së bashku për të zgjidhur problemet”,- tha Solana.
Kryeministri i Australisë, Kevin Rud, tha se mesazhi i Obamës për shpresën nuk ka të bëjë vetëm me të ardhmen e Amerikës, por edhe me atë botërore. Presidenti i Izraelit, Shimon Peres, u shpreh se Obama është premtues dhe përfaqëson ndryshimin. Ministri i Jashtëm i Irakut, Hoshya Zebari, tha se Bagdadi e konsideron fitoren e Obamës mundësi për të vënë themelet e një “partneriteti të suksesshëm midis dy vendeve”. Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abas, i bëri thirrje Obamës që t’i përshpejtojë përpjekjet për të arritur marrëveshje paqësore izraelito-palestineze.
6 Nentor 2008