E Diel, 1 Nëntor 2026

SHBA, demokratët fitojnë vende në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve



Në zgjedhjet e së martës në SHBA Partia Demokrate fitoi edhe vende të tjera në Kongresin Amerikan. Në Senat demokratët u zunë vendin disa senatorëve republikanë, si dhe vendet e senatorëve republikanë që dolën në pension. Një prej senatorëve të rinj është zonja Kej Hejgën nga Karolina e Veriut, e cila fitoi ndaj senatores republikane, Elizabeth Dole. Gjatë një gare të ashpër, Hejgën e quajti zonjën Dole të paefektshme, ndërsa senatorja Dole e quajti zonjën Hejgën individ “pa fe”. Në shtetin jugor të Virxhinias, ish-guvernatori demokrat, Mark Uorner, fitoi në zgjedhjet e Senatit Amerikan ndaj kandidatit republikan. Senatori republikan Xhon Sununu humbi vendin në senat në Nju Hempshir ndaj demokrates Xhejn Shahin. “Populli i Nju Hempshirit e tha fjalën e vet në kutinë e votimit. Ai u shpreh me forcë dhe qartë për një drejtim të ri”. Analisti Brajan Darling është shprehur se fitorja e Senatorit Obama dhe rritja e numrit të vendeve të demokratëve në Kongres i jep presidentit të ri mbështetjen që i duhet për të vënë në jetë axhendën e tij. Por disa republikanë i mbajtën vendet e tyre në Kongres, si udhëheqësi i pakicës, Miç Mekonëll, i cili fitoi një garë të ngushtë në Këntaki. Demokratët kishin për herë të fundit kontrollin e Shtëpisë së Bardhë dhe të Kongresit në të njëjtën kohë, në fillim të viteve ‘90-të në administratën e presidentit Bill Klinton.

6 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›