E Shtunë, 31 Tetor 2026

Absurdi, siç na e thotë Spiro Duni?!



“Këngëtarja tullace” rishfaqet në Teatrin Kombëtar. Kjo komedi e rikthyer nuk ka kalim nga dramatikja në tragjike, nga fatkeqësia e pjesshme në fatkeqësi të plotë, por kalim dinamik nga pakuptimësia e pjesshme, në pakuptimësi të plotë. Ky është mesazhi që regjisori Spiro Duni do të sjellë duke nënvizuar se në pozitën e njeriut sot në botë, nuk dirigjon arsyeja, por absurdi. “Këngëtarja tullace” është një nga komeditë më të diskutueshme, që edhe vetë autori që e ka shkruar, e quan antikomedi. “Sonte në mbrëmje pas datës 13 korrik do të rikthehet në skenë teatrore “Këngëtarja tullace”. Kjo vepër sjell shumë mesazhe të mëdha, fjalë të cilat kanë humbur. Tek kjo shfaqje dirigjon absurdi dhe jo logjika. Në Dibër ne u pritëm shumë mirë dhe shfaqja u prit mirë, ndërsa fjalë të mira pati edhe nga kritika”, - thotë regjisori Duni në një konferencë për shtyp. Ndërsa aktori protagonist në këtë shfaqje, Roland Trebicka thotë se “këtë rol kur ma propozoi regjisori unë e mirëprita. E kisha shumë dëshirë ta luaj këtë rol edhe në vitin 1994 kur veprën e vuri në skenë Agim Qirjaqi, por atëherë isha i angazhuar me një projekt në të njëjtën kohë”. Trebicka shton se zoti Smith, është një personazh i veçantë dhe absurd në krahasim me rolet e mëparshme. Komedia e dramaturgut franko-rumun Eugene Ionesco bën pjesë në rrymën e teatrit absurd, duke u klasifikuar në një nga kryeveprat e dramaturgjisë botërore. Në këtë vepër marrin pjesë një kastë e njohur aktorësh, si Roland Trebicka, Bujar Asqeriu, Anila Bisha, Marjana Kondi etj., duke filluar që në mbrëmjen e sotme, më 16 dhe 17 tetor.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›