Abuzime me minorenët

Trupat paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara dhe punonjës humanitarë kanë përfunduar në “rrjetën” e “Save the Children”. Akuza kundër tyre është tepër e rëndë. Organizata për Mbrojtjen e Fëmijëve deklaron se ka zbuluar raste shfrytëzimi seksual ndaj minorenëve edhe deri në 6 vjeç. Abuzimet sipas raportit të “Save the Children”, këto raste vazhdojnë të verifikohen në vendet e emergjencës dhe janë shumë pak të dokumentuara, pasi viktimat kanë frikë të flasin. I titulluar “S’kemi kujt t’ia themi”, raporti është fryt i qindra intervistave, diskutimeve dhe takimeve që anëtarët e organizatës kanë kryer kohët e fundit me minorenë, vullnetarë të organizatave humanitare dhe anëtarë të personelit të misionit të OKB-së. Një djale nga Sudani rrëfen se viktimat e abuzimeve kanë frikë të flasin, pasi abuzuesit mund të hakmerren, apo agjencitë humanitare ku ata punojnë do të ndërpresin ndihma. Ata kanë frikë edhe nga ndëshkimet e vetë familjeve apo shoqërisë në komunitetet tepër fanatike në të cilat jetojnë. “Kemi kuptuar se për çdo abuzim të identifikuar, janë shumë të tjerë që mbeten të fshehur dhe të panjohur”, - thotë Valerio Neri, drejtori i “Save the Children” në Itali. Viktimat e abuzimeve, sipas raportit, janë shumica minorenë jetimë, me prindër të ndarë ose me familje që varen plotësisht nga ndihmat humanitare. Pjesa më e madhe e viktimave janë femra të moshës 14-15 vjeç, edhe pse raporti ka identifikuar raste më flagrante me fëmijë të moshave më të vogla, madje deri në 6 vjeç. Shpesh forcat paqeruajtëse dhe punonjësit humanitarë janë përgjegjës për abuzime vetëm verbale, komente ose fraza vulgare apo me përmbajtje seksuale, siç dëshmohet nga 65 për qind e të intervistuarve. Por një pjesë e tyre kanë raportuar edhe për raste të tilla, ku minorenët i kërkohen favore seksuale në këmbim të ushqimit, parave apo mjeteve të “luksit”, si celulari. Ndërkohë, 55 për qind kanë dëshmuar për ngacmime seksuale, ndërsa 30 për qind për dhunë seksuale të veçanta ose në grup. Sipas raportit të “Save the Children”, përgjegjësit e këtyre abuzimeve mund t’i përkasin çdo organizate, qoftë ajo humanitare, paqeruajtëse apo sigurie. Nuk ka diferencime në nivel gradësh, që nga punonjësit më të thjeshtë e deri tek drejtuesit e lartë. Por personeli i misioneve të paqes rezulton numerikisht më shumë i përfshirë në këto abuzime. Nga 38 grupe, në të cilat u zhvillua kërkimi, 20 treguan prej tyre treguan paqeruajtësit si autorët më frekuentë të abuzimeve. Një e dhënë kjo e konfirmuar edhe nga Kombet e Bashkuara, nga një total denoncimesh seksuale nga minorenët kundër punonjësve të OKB-së në vitin 2005, ku mbi 60 u përkisnin trupave të Departamentit të Operacioneve Paqeruajtëse.