Morati shkarkon Mançinin

Roberto Mançini nuk do të jetë më trajneri i Interit. Pas një takimi prej 25 minutash me presidentin Masimo Morati, Mançini ka dalë pa folur asgjë për mediat, heshtje e cila ka lënë të kuptohet se gjërat nuk kanë shkuar aspak mirë. Edhe pse asgjë nuk është ende zyrtare, vetë menaxheri i trajnerit zikaltër ka pohuar se lamtumira mes Mançinit dhe Interit tashmë duket e pashmangshme. “Nuk di asgjë, sepse nuk kam arritur ende të flas me qetësi me Mançinin, - është shprehur menaxheri Xhiorxhio de Xhorxhis. - Ka mbaruar? Mendoj se po, por ende nuk ka asnjë konfirmim. Nëse do të konfirmohej lajmi i shkarkimit, do të ishte vërtet një surprizë, sepse dëshira e trajnerit ka qenë gjithmonë që të qëndrojë. Ai kurrsesi nuk do të largohej për respekt të Moratit dhe grupit të futbollistëve që ai ka stërvitur në këto vite”. Lajmi i largimit të Mançinit nga Interi përforcohet edhe më shumë, pasi disa miq të trajnerit kanë pohuar menjëherë pas takimit të shumëpritur Morati-Mançini, se ka qenë vetë ish-trajneri i Lacios, ai që i ka konfirmuar faktin se është shkarkuar nga presidenti i tij.
Murinjo në Milano si fitues
Ardhja e Zhose Murinjos tek Interi është vetëm çështje ditësh. Por portugezi nuk do të vinte në Milano për të bindur opinionin se është trajneri i duhur për Interin, pasi karriera e tij në të kaluarën është vërtet e mbushur plot trofe. Në gjashtë sezone portugezi ka koleksionuar plot 13 trofe. Ja trofetë e fituar: 4 kampionate (2 me Porton 2003 e 2004, 2 me Çelsin 2005 e 2006); 1 Ligë Kampionesh (Porto 2004); 1 Kupë UEFA (Porto 2003); 1 Kupë Portugalie (2004); 2 Superkupa Portugalie (2003 e 2004); 1 FA Cup (Çelsi 2007); 2 Carling Cup (Çelsi 2005 e 2007); 1 Charity Shield (Çelsi 2005)
Portugezi studion italisht prej pesë muajsh
Zhose Murinjo po studion gjuhën italiane që prej pesë muajsh. Këtë e ka bërë të ditur e përditshmja portugeze “Diario de Noticias”, e cila ka cituar se kalimi i ish-trajnerit të Çelsit tek Interi është thjesht çështje ditësh. “Kur Murinjo do të prezantohet tek Interi si pasuesi i Roberto Mançinit, drejtuesit dhe tifozët zikaltër do të mbeten shumë të habitur nga italishtja e tij”, shkruan gazeta portugeze, duke shtuar se “Murinjo studion me një profesor privat, që vjen çdo ditë në shtëpinë e tij”. Sipas medias luzitane, objektivi i Murinjos është që, sa të mbërrijë në Milano, të lërë menjëherë impresion të fortë.