PR-PDK të jenë konkretë

Dy aleatët kryesorë të Partisë Demokratike, republikanët dhe demokristianët, kanë deklaruar se gjatë ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, do të kërkojnë përfshirjen e dy nismave të tyre ligjore. Disa ditë më parë, demokristianët deklaruan se do të kërkojnë që në Kodin Zgjedhor të përcaktohet një pikë e veçantë, për të mos lejuar që Parlamenti i vitit 2009 të mos ketë deputetë që kanë qenë bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit.
Ndërsa republikanët deklaruan gjithashtu pak ditë më vonë, se po përgatisin një nismë ligjore, e cila do t’u mundësojë emigrantëve që të votojnë në vendin ku ata jetojnë. Sipas republikanëve, përfshirja e kësaj nisme në Kodin Zgjedhor do të sillte përfshirjen e emigrantëve në zgjedhjen e pushtetit, si dhe do të thjeshtonte procesin e votimit të tyre.
Të dy aleatët e PD-së, si PR-ja, ashtu edhe PDK-ja, kanë deklaruar se me nisjen e punës për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, do të paraqesin edhe nismat e tyre në komisionin që do të merret me ndryshimet. I pyetur për qëndrimin e Partisë Demokratike për këto dy propozime, kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, thotë se këto nisma deri tashmë janë në kuadrin e deklaratave dhe nuk ka akoma asgjë konkrete. Duke mos dashur që të nxitohet në deklarata, kreu i deputetëve demokratë thotë se këto dy nisma nuk mund të paragjykohen, përderisa nuk janë konkretizuar në nisma ligjore. “Duhet të paraqiten konkretisht një herë këto nisma, në mënyrë që të shihet edhe propozimi përfundimtar i tyre. Duhet që këto deklarata të zyrtarizohen. Ne nuk mund të paragjykojmë këto nisma, përderisa nuk kanë marrë akoma një formë ligjore, por mbeten në kuadrin e deklaratës”, thotë Patozi për “Korrierin”. Megjithatë, kryetari Patozi thotë se në momentin e zyrtarizimit të këtyre nismave, Partia Demokratike do t’i marrë parasysh dhe do t’i shqyrtojë. “Në rast se këto nisma do të shndërrohen në iniciativa ligjvënëse, atëherë ne do të mbajmë qëndrimin tonë, duke i shqyrtuar me shumë kujdes”, përfundon Patozi. Ndërkohë, puna për aplikimin e sistemit të ri zgjedhor në kod nuk ka nisur akoma, edhe pse ka më shumë se një muaj që është votuar ndryshimi i sistemit. Ndërkohë, aleatët e djathtë pasi kanë kërkuar nisjen e shpejtë të punës për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, kanë bërë publikë edhe disa nga propozimet e tyre, që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me ndryshimin e sistemit elektoral.