E Diel, 1 Nëntor 2026

Refuzon të martohet, masakrohet me thikë 15-vjeçarja

Autori i Lajmit: RedaksiaNjë 15-vjeçare është masakruar me thikë në ambientet e banesës së saj në Vlorë. Refuzimi për tu martuar me ish-të dashurin e saj për pak i ka kushtuar jetën. 21-vjeçari ka shkuar dje në shtëpinë e adoleshentes dhe, pasi ka mësuar refuzimin e saj, e ka goditur në bark dhe në fyt me thikën e bukës. Fqinjët kanë dëgjuar ulërimat e 15-vjeçares dhe kanë njoftuar menjëherë policinë. Burime nga uniformat blu bënë të ditur se i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Vajza ndodhet nën kujdesin e mjekëve, por në gjendje kritike për jetën, për shkak të plagëve të shumta.
Ngjarja
Një lidhje intime ka qenë shkaku i plagosjes me armë të vajzës 15-vjeçare dje në qytetin e Vlorës. Burime zyrtare nga policia konfirmojnë se shkak i plagosjes me thikë të adoleshentes ka qenë një lidhje intime e saj. Ngjarja ndodhi në lagjen “11 Janari” në Vlorë kur një i ri, 21 vjeç, nga Durrësi, ka qëlluar adoleshenten me thikë. Sipas hetimeve të deritanishme, rezulton se partneri i saj nga Durrësi i ka kërkuar 15-vjeçares të martoheshin, por ajo ka refuzuar, pasi familja e saj nuk ishte dakord.
Për shkak të kësaj mosmarrëveshjeje, i dyshuari për plagosjen e rëndë me dashje, ka qëlluar me thikë adoleshenten, e cila ka pësuar plagë në qafë, kraharor dhe në bark.
Hetimet
Partneri i saj ndërkohë është shpallur në kërkim nga policia ndërsa po punohet për kapjen e tij. Mësohet se vajza ndodhej e vetme në shtëpi, ndërsa jetonte me babanë, pasi prindërit e saj ishin divorcuar. Policia bëri të ditur se fiqinjët deponuan për grupin e hetimit se dëgjuar britmat e 15-vjeçares dhe kanë hyrë menjëherë në banesë dhe kanë ndaluar 21-vjeçarin ta qëllonte akoma të miturën. Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje për të sqaruar rrethanat. Ajo është vënë në ndjekje të autorit 21-vjeçar, ndërsa 15-vjeçarja ndodhet në spital në gjendje të rëndë.

Varfëria, vetëflijohet 35-vjeçari
Ajo që duhet të ishte një festë në prag të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, është kthyer në mort për dy familje. Një 44-vjeçar dhe një 35-vjeçar i kanë dhënë fund jetës sot, ndërsa policia ka nisur hetimet për të zbardhur ngjarjet. Vetëflijimi i parë u regjistrua në Elbasan, ku 44-vjeçari Ferit Ferra është gjetur në gjendje të rëndë nga familjarët e tij. Mësohet se ai kishte konsumuar një sasi helmi, fostoksinë, dhe ka gjetur vdekjen pak pasi mbërriti në spital. Policia, e sinjalizuar për ngjarjen, nisi hetimet për të zbuluar rrethanat.

Vdes indiani i plagosur nga shqiptari
Në qytetin e Parmës, në Itali, ka vdekur një student 18-vjeçar me origjinë indiane, i cili ishte plagosur disa ditë më parë me thikë nga një shtetas shqiptar. Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave, plagosja erdhi pas një sherri për motive të dobëta të nisur nga 21-vjeçari shqiptar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur. Ndërkohë, një tjetër i ri indian, edhe ky i plagosur nga shtetasi shqiptar, ndodhet në gjendje të qëndrueshme në spitalin e qytetit verior të vendit fqinj.

Pranga dy adoleshentëve për gjobëvënie
Dy persona u arrestuan dje nga Policia e Tiranës me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë (pengmarrje) dhe kanosje serioze për dhënien e pasurisë (gjobëvënie). Sipas burimeve zyrtare nga policia, të arrestuarit janë: Pjerin Prenga, 21 vjeç dhe Evi Pelingu, 22 vjeç. Burime nga policia bënë të ditur se ata akuzohen se kanë mbajtur peng një person duke e kërcënuar me jetë që të paguante një sasi parash. Policia, e cila ka marrë informacion për ngjarjen, ka organizuar menjëherë operacionin për kapjen e autorëve të krimit. Detaje të tjera nuk janë bërë me dije nga policia, e cila tha se po vazhdon hetimet paraprake mbi rastin.

Përplasen 5 makina plagosen 4 persona
Katër të plagosur është bilanci i një aksidenti rrugor në të cilin u përfshinë pesë automjete. Burime nga policia bënë të ditur se aksidenti që për pak rrezikoi të shkaktonte një tragjedi, ndodhi pasditen e djeshme në aksin rrugor Lezhë-Shkodër në vendin e quajtur Kthesa e Blinishtit. Sipas të njëjtave burime, mësohet se pesë automjete janë përplasur duke shkaktuar plagosjen e katër personave, të cilët u transportuan në Spitalin e Lezhës dhe aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje mbërritën forcat e policisë për të zbardhur rrethanat e këtij aksidenti. Dyshohet se shkak i aksidentit mund të jetë bërë parakalimi i gabuar i një prej makinave që ka sjellë më pas përplasjen e automjeteve të tjera.

Rrugorët 700 gjoba në 24-orë
Rreth 700 drejtues mjetesh janë ndëshkuar me gjobë dje nga Policia Rrugore. Ndërkohë që 9 të tjerë kanë humbur të drejtën për të drejtuar mjetin. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bënë të ditur dje se nga shlyerja e detyrimeve që rrjedhin nga kundërvajtjet administrative, u arkëtuan nga Posta Shqiptare vetëm përgjatë ditës së djeshme 165 masa administrative të likuiduara nga drejtuesit e mjeteve. Shërbimet e Policisë së Tiranës do të vazhdojnë me intensitet punën për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor, me qëllim parandalimin dhe uljen e aksidenteve rrugore. Në këtë kuadër, kontrolle të shumta po ushtrohen në drejtim të vendosjes së rripave të sigurimit, kaskës mbrojtëse, kontrollit të shpejtësisë, përdorimit të alkoolit nga drejtuesit e mjeteve, parkimet e gabuara etj. Po ashtu, kontrolle të vazhdueshme do të ushtrohen kryesisht për parkimet e gabuara, apo parkimet dyshe në akset e qytetit të Tiranës. Në sajë të rritjes së prezencës së policisë në rrugë, kontrolle të shumta do të vazhdojnë në vijimësi, për zbatimin e detyrave që lidhen me Programin e Punës të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit “Për rritjen e sigurisë rrugore për vitin 2009” si dhe Programin e Punës së Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë, me objekt forcimin e masave ndaj kundërvajtësve me synim uljen e ngjarjeve aksidentale dhe pasojave te tyre.

Ky lajm është publikuar: 25/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›