Urdhri i Vasilit: Mjekët në punë edhe ditët e festave
Autori i Lajmit: RedaksiaMjekët e urgjencave, por edhe shefat e shërbimeve ne repartet qe kurojnë rastet e rënda, do të jenë në gatishmëri edhe netët e festave. Me një urdhër të veçantë që është firmosur nga kreu i Shëndetësisë, Petrit Vasili, duhet që të gjitha qendrat shëndetësore, por në veçanti urgjencat të jenë të pajisura dhe me setin e nevojshëm të medikamenteve. “Të mos ketë asnjë lloj mungese qoftë për ato që janë materiale konsumi apo për barnat që janë pjesë e setit të barnave të urgjencës. Mjeku është i detyruar që me maksimumin e saktësisë, me maksimumin e profesionalizmit të ofrojë më të mirën për atë pacient, pavarësisht se data është 31 apo është data 1”, - tha Vasili. Kreu i Shëndetësisë ka paralajmëruar se nuk do të ketë asnjë tolerim për të gjithë ata mjekë apo personel shëndetësor që nuk i binden këtij urdhri, e ndërkohë që u shpreh se edhe në rrethe apo në zonat me terren të vështirë do të vihen në dispozicion automjetet më të mira. “Automjetet më të mira që ne kemi, në gjendjen më të mirë, do të jenë në dispozicion të shërbimit të urgjencës në këto ditë festash. Absolutisht asnjë lloj pasaktësie në funksionim të shërbimit nuk do të tolerohet”, - tha Vasili. Këto deklarata ministri Petrit Vasili i bëri gjatë një takimi me drejtorë të spitaleve dhe qendrave shëndetësore në Tiranë dhe rrethe.
Punonjësit e barnave dhurojnë gjak
Apelit të mjekëve për mungesë të theksuar të gjakut në spitale i janë përgjigjur punonjësit e Qendrës së Kontrollit të Barnave. Të 30 punonjësit e kësaj qendre kanë dhuruar gjak në këtë prag festash për të kontribuar sado pak për nevojat që kanë kryesisht fëmijët talasemikë. Qendra e gjakut deklaron se nevojat për gjak në vendin tonë do të jenë të vazhdueshme për sa kohë ende qytetarët nuk ndërgjegjësohen të japin gjak vullnetarisht herë pas here. Sipas tyre, dhurimi vullnetar garanton gjak të sigurt për pacientët. Drejtori i qendrës së kontrollit të barnave, Besnik Jaku, u shpreh se punonjësit e qendrës së kontrollit të barnave do të japin gjak edhe në ditët e tjera.
Ky lajm është publikuar: 25/12/2009