E Shtunë, 31 Tetor 2026

Abuzimet me pensionet, në hetim Sigurimet Shëndetësore

 

Tiranë, denoncohen 11 persona që kanë mashtruar me pensionet. Në Durrës tre në pranga për certifikata pronësie

TIRANË- Policia e Tiranës ka nisur një hetim të gjerë ndaj një rrjeti falsifikatorësh dhe ish- zyrtarësh të Sigurimeve Shoqërore, të cilët dyshohet se kanë dhënë dhjetëra pensione të paligjshme. Hetimi ka nisur pas denoncimeve të shumta por edhe fakteve të zbuluara nga policia gjatë kohëve të fundit. Burimet zyrtare të policisë së kryeqytetit pohuan se mes të hetuarve për këtë çështje janë edhe ish- zyrtarë të Drejtorisë Rajonale të Sigurime Shoqërore, pasi dyshohen për mashtrim nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve dhe vënie në përdorim të dokumenteve të falsifikuara. Ndërkohë në Durrës janë arrestuar tre persona pasi lëshonin dokumente pronësie të falsifikuara me ndihmën e një punonjëseje të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Tiranë

Sipas burimeve zyrtare të policisë, në kuadër të këtij hetimi janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore rreth 200 dosje të shtetasve të ndryshëm, të cilët përfitonin në mënyrë të paligjshme pension të parakohshëm dhe pension pleqërie, përmes dokumenteve të falsifikuara. Nisur nga kjo policia i ka kërkuar prokurorisë fillimin e procedimit penal për shtetasit PetritStafa, 51 vjeç, BilalQoku, 45 vjeç, banues në Krrabë, Xhavit Bekteshi, 58 vjeç, Lutfi Banaj, 47 vjeç, Ylli Lika, 42 vjeç, banues në Ibë komuna Bërzhitë, ShefkiShkoza, 45 vjeç, banues në fshatin Surrel, Bajram Alimadhi, 45 vjeç, banues fshatin Mjull Sauk, Maliq Luli, 50 vjeç, Shefki Troski, 58 vjeç, Skënder Varroti, 47 vjeç dhe Skëndër Cicollari, 53 vjeç, banues në Tiranë. Sipas të dhënave hetimore, dyshohet se këta shtetas, të ardhur nga rrethe të tjera të vendit dhe Tirana, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara kanë përfituar pension të pa merituar, duke u paraqitur si ish- punonjës të minierës së Krrabës, dhe kanë përfituar këtë pension qysh nga viti 2000, duke i sjellë shtetit dëme të konsiderueshme monetare. Po ashtu, nga hetimet është zbuluar se personat e mësipërm për nxjerrjen e dokumenteve tëfalsifikuara për pension janë ndihmuar kundrejt shumave të parave prej 50 mijë lekësh nga zyrtarët e Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore (si specialistë të kuadrit në atë kohë, pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore, specialistë të kuadrit pranë ish- minierës së Krrabës, etj). Hetimi po verifikon edhe disa raste të tjera, të cilat duken tepër të dyshimta.

Durrës

Ndërkohë në Durrës një operacion i policisë i koduar me emrin "Furtuna" ka arrestuar në mesnatë 24- vjeçaren, Brikena Cato, specialiste e zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme, Shpëtim Canin, 41 vjeç, dhe Violeta Xhyvelja, 46 vjeç. "Nga hetimet rezultoi se Shpëtim Cani dhe Violeta Xhyvelja, ndërmjetësonin kundrejt përfitimeve të paligjshme duke gjetur persona të interesuar për nxjerrjen e certifikatave të pronësisë, të cilat i siguronin nëpërmjet bashkëpunimit me punonjësen e zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme, Brikena Cato", thanë burimet zyrtare të policisë. Arrestimet për këta persona janë kryer pasi janë miratuar edhe nga gjykata e rrethit. Grupi hetimor i kësaj çështjeje po heton edhe në lidhje me persona të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë skemë mashtrimi. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›