Gjirokastër, "Rrjeta e gjelbër 3" kthen 123 klandestinë
Policia ndalon edhe një 23-vjeçar nga Lazarati, i kërkuar për trafik të lëndëve narkotike
GJIROKASTËR- Tre ditët e fundit janë kthyer mbrapsht 123 shtetas shqiptarë nga policitë homologe, greke dhe shqiptare. Gjithçka është realizuar nga operacioni policor ndërkombëtar i koduar "Rrjeta e gjelbër 3". Sipas burimeve policore mësohet se ky operacion është në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme që Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit Gjirokastër në bashkërendim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, me mbështetjen e forcave speciale "Delta Forcë" Vlorë dhe në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Epirit dhe asaj të Janinës kanë zhvilluar për parandalimin, dokumentimin dhe goditjen e të gjitha trafiqeve të paligjshme që mund të zhvillohen nëpërmjet kufirit të gjelbër me shtetin grek. "Si rezultat i këtij operacioni , nga forcat policore të Stacioneve Kufitare Kakavije, Sopik dhe Çarçovë të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Gjirokastërështë bërë e mundur të bllokohen dhe të kthehen mbrapsht 97 shtetas nga rrethe të ndryshme të vendit të cilët kishin për qëllim kalimin e kufirit në mënyrë të paligjshme",- tha zëdhënësi i policisë Gentian Mullai. Sipas tij, nga pala greke janë kthyer 26 shtetas deportivë. Po sipas të njëjtave burime mësohet se gjithashtu në kuadër të këtij operacioni janë ndaluar dy shtetas. Nga ana e Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër është bërë kapja dhe shoqërimi për llogari të Krimeve të Rënda i shtetasit Sinan Rabi, 23-vjeç, lindur dhe banues në fshatin Lazarat. "Ky shtetas është i implikuar në trafikun e lëndëve narkotike të sekuestruara nga ana jonë gjatë operacionit të koduar "Gjuetia malore" i zhvilluar më datën 19 shkurt të këtij viti, ku u sekuestruan në malin e fshatit Bularat të rrethit Gjiroklastër 26 kilogramë Kanabis Sativa dhe ndaj tij është caktuar masa e sigurisë arrest në burg",- ka theksuar më tej Mullai. Gjithashtu në pranga është vënë edhe një 21- vjeçar nga Fierza. Burime policore kanë bërë të ditur se ky person ka qenë i shpallur në kërkim për veprën penale të "Dezertimit nga ushtria" dhe është dënuar me 6 muaj heqje lirie. Mësohet se operacione të tilla me afat të shkurtër kohor do të vijojnë.