Ortaku i AEY: Tregoj korrupsionin e armëve
Ortaku i Diverolit ka premtuar se do të tregojë gjithçka nëse Kongresi Amerikan i jep imunitet nga hetimi i prokurorisë
Efraim Diveroli i AEY do të dëgjohet në Kongres më 13 prill. Përpara tij do të dëgjohet Trebicka
Ortaku dhe nëndrejtori i kompanisë AEY të Diverolit, David M. Packouz ka pranuar që të dëshmojë në lidhje me korrupsionin e kryer në blerjen e fishekëve në Shqipëri në këmbim të sigurisë së tij. Avokati i tij ka dërguar një letër dje në Kongresin Amerikan duke pohuar se është i gatshëm të tregojë gjithçka në rast se i garantohet imunitet për tu mos hetuar nga ana e prokurorisë. Nëse arrihet kjo marrëveshje atëherë do të dalin në dritë shumë detaje "të pista" të çështjes së tregtisë së armëve ku dyshohet se janë implikuar zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar.
Ndërkohë hetuesit e Kongresit Amerikan kanë kontaktuar me nënkontraktorin shqiptar të Diverolit, Kosta Trebickën, të cilin e kanë pyetur në lidhje me këtë çështje. Trebicka ndodhet në Shqipëri për momentin por është treguar tepër i gatshëm për të dhënë shpjegimet e tij. Hetuesit amerikanë i kanë kërkuar Trebickës të dhëna në lidhje me përgjimet telefonike që ndodhen në dispozicion të tij si dhe për bisedat e tjera të zhvilluara më Diverolin. Por kthesa e vërtetë e kësaj çështjeje është dëshira e David M. Packouz për të dëshmuar në lidhje me tregtinë e armëve, falsifikimet e bëra gjatë saj si dhe korruptimi i zyrtarëve të ndryshëm. Marc D. Seitles, avokati i nëndrejtorit të AEY-së ka dërguar dje në Kongresin Amerikan një letër ku shpjegon se klienti i tij është tepër i gatshëm për të bashkëpunuar. Por në këmbim të bashkëpunimit, 25- vjeçari i cili ka një licencë për masazhator, ka kërkuar imunitet nga hetimi i prokurorisë dhe FBI-së. David M. Packouz ka dhënë dorëheqjen nga kompania por ka ende në dorë materiale që mund të implikojnë vetë atë por edhe Efraim Diverolin. "Pa imunitet, unë nuk mund të lejoj klientin tim që të dëshmojë. Nëse ai detyrohet të bëjë një gjë të tillë atëherë ne do të thërrasim Amendamentin e Pestë",- tha avokati i David M. Packouz. Amendament i Pestë i kushtetutës amerikane lejon të dyshuarit të mos dëshmojë në rast se dëshmitë e tyre mund t'i inkriminojnë në një proces penal.
Edhe statusi i Efraim Diverolit është vënë në diskutim nga ana e hetuesve amerikanë. Ai është implikuar në një tjetër çështje të dyshimtë të tregtimit ilegal të fishekëve nga Sllovakia në drejtim të SHBA-së. Në lidhje me çështjen shqiptare, Kongresi Amerikan ka vërtetuar se fishekët e shënuar në dokumente sikur ishin hungarezë, në të vërtetë ishin municione kineze të blera në Shqipëri. Për këtë çështje, kompania hungareze "MFS 2000" ka bërë gati një kallëzim në ngarkim të 22-vjeçarit Efraim Diveroli. Sipas kompanisë hungareze, Diveroli ka keqpërdorur emrin e saj dhe se ajo nuk ka asnjë lidhje me fishekët kinezë. Të gjithë këto dokumente janë përfshirë në dosjen hetimore të Kongresit Amerikan në lidhje me këtë çështje. Efraim Diveroli është njoftuar që të paraqitet në kongres më datë 13 prill por gjatë kësaj kohe do të merren në pyetje Kosta Trebicka si dhe ortaku i Diverolit, David M. Packouz. Dëshmitë e tyre mund t'ia bëjnë shumë të vështirë punën 22-vjeçarit që për vite të tëra ka përfituar kontrata multimilionëshe pa rënë në sy të askujt.
Pas Departamenti të Mbrojtjes dhe ushtrisë ka ardhur vendimi i radhës për kompaninë e Efraim Diverolit
Departamenti i Shtetit pezullon aktivitetin e AEY
Departamenti Amerikan i Shtetit ka pezulluar të gjitha veprimet ndërkombëtare si dhe eksportet e kompanisë "AEY Inc", e cila është në pronësi të 22- vjetarit Efraim Diveroli. Shkaku i këtij veprimi është nisja e hetimeve kriminale në ngarkim të Diverolit, i cili ka dërguar municionet kineze të blera në Shqipëri, në Afganistan. Ushtria amerikane e ka akuzuar 22-vjeçarin nga Miami Beach për mashtrim në lidhje me ngarkesën e municioneve. Ai kishte "certifikuar" në dokumente se municionet ishin hungareze kur në fakt ato ishin kineze. Edhe ushtria ka marrë vendimin e pezullimit të të gjitha kontratave të saj me Diverolin.
Vendimi më i fundit i marrë nga Departamenti Amerikan i Shtetit ka bllokuar krejtësisht biznesin e firmës "AEY Inc". Sipas ligjeve federale, transfertat e armëve nëpërmjet kufijve ndërkombëtare ku dogana nuk është amerikane kërkon licencë. Një zyrtar i Departamentit të Shtetit pohoi për NY Times se për shkak të rrethanave, kërkesat e Diverolit për tu pajisur me licencë janë refuzuar. "AEY është nën regjimin e ndalimit të kërkesave të mëtejshme për eksport. Departamenti mund të bëjë përjashtime në këtë rast por vetëm në rastet kur rrezikohet siguria kombëtare apo politika e jashtme e detyron të bëjë një gjë të tillë",- thanë burimet e NY Times brenda Departamentit Amerikan të Shtetit. Avokati i Efraim Diverolit, Hy Shapiro, ka refuzuar që të komentojë këto vendime. AEY ishte furnizuesi kryesor i ushtrisë afgane me municione por bllokimi i kontratës ka lënë bosh një vend që vlen potencialisht 298 milionë dollarë.
Biznesmeni Kosta Trebicka ka qëndruar dje për 5 orë në Prokurorinë e Përgjithshme. Ja dëshmia e tij për armët drejt Kabulit
Dëshmia e Kosta Trebickës, përballë Kongresit të SHBA
TIRANË- Aferën e fishekëve shqiptarë drejt Afganistanit e ka denoncuar për Departamentin amerikan të Mbrojtjes, Prokurorinë e Përgjithshme, për mediat shqiptare dhe ato amerikane. Tashmë rrëfimin e tij e kërkon edhe Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nga një biznesmen i njohur vetëm prej një rrethi të ngushtë njerëzish, Kosta Trebicka është kthyer prej javësh në një personazh publik, që nuk resht së denoncuari pazaret e ish-kreut të ndërmarrjes MEICO apo drejtuesve të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët i kanë përdorur municionet e ushtrisë shqiptare si të ishin pronë e tyre. Burime të besueshme bëjnë me dije se pas Efraim Diverolit dhe zëvendësit të tij, një masazhator profesionit, Kongresi i SHBA do të thërresë për të dëshmuar edhe Trebickën, i cili rezulton të jetë denoncuesi i parë i skandalit të fishekëve shqiptarë drejt Kabulit.
***
Paraditen e djeshme, Kosta Trebicka i ka ngjitur sërish shkallët e Prokurorisë së Përgjithshme, për të takuar në një seancë të dytë pyetjesh grupin e prokurorëve që po punon për të zbardhur tragjedinë e Gërdecit. Dëshmia 6 orëshe e një dite më parë duket se nuk i ka mjaftuar ish-ortakut të Efraim Diverolit për të rrëfyer gjithçka dinte mbi furnizimin me armë të ushtrisë afgane. Gjatë ditës së djeshme, Trebicka ka qëndruar 5 orë të tjera në Prokurorinë e Përgjitshme, ku ka dorëzuar dokumente të tjera mbi kontratën e MEICO-s me kompaninë amerikane AEY si dhe ka pohuar të gjitha dyshimet e tij për këtë aferë shtetërore. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme bëjnë me dije se Trebicka i ka qëndruar të gjitha deklarimeve që ka bërë në media për mënyrën sesi është kontraktuar prej 22-vjeçarit Diveroli, për takimet e para me ish-drejtorin e MEICO-s, Ylli Pinari si dhe për bllokimin e procesit të paketimit prej këtij të fundit, për t'ia kaluar më pas këtë punë Mihal Delijorgjit.
***
Po cili ka qenë roli i ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu në kontratën për furnizimin me armë të ushtrisë afgane? Kosta Trebicka ka pohuar dje për prokurorinë se është interesuar dhe e ka takuar dy herë Mediun, pas bllokimit të kontratës nga Pinari. "Ai u tregua shumë indiferent, duke e cilësuar këtë çështje si punë private mes kompanive. Mediu, sikurse çdo ministër para tij, ka patur marrëdhënie me zotin Pinari. Funksionarët e MEICO-s i dinë shumë mirë marrëdhëniet e tyre të vjetra dhe të reja, i dinë shumë mirë rrjetet e tyre edhe brenda, edhe jashtë, që do të thotë se dinë ta manipulojnë shumë mirë situatën, kushdo lloj ministër që vjen. ",-ka pohuar Trebicka për Mediun. Ai ka përmendur një tjetër kontakt me ish-ministrin e Mbrojtjes, pas incidentit me gazetarin Nicholas Wood të "NY Times", të cilit iu vodh kaseta.Sipas Kosta Trebickës, ndërmarrja e drejtuar nga Ylli Pinari ka sabotuar qëllimisht kontratën me Diverolin, pasi ka bërë llogaritë së bashku me Mihal Delijorgjin se tregtia e skrapit ishte më fitimprurëse.Sa për hetuesit e grupit hetimor, dëshmia e Kosta Trebickës është me interes edhe për zbardhjen e çështjes së Gërdecit, kryesisht për dyshimet se në këtë fabrikë janë paketuar dhe trafikuar fishekë të paçmontuar.
Kosta Trebicka dhe Shkëlzen Berisha kanë pranuar se janë takuar rreth 1 muaj para tragjedisë së Gërdecit
Trebicka: Takimi im me Shkëlzen Berishën
TIRANË- "Djalin e kryeministrit e kam takuar për 5 apo 6 minuta, në sheshin "Nënë Tereza", për të sqaruar ato që kishte thënë Pinari". Kështu ka pohuar Kosta Trebicka për takimin me Shkëlzen Berishën. Në një intervistë televizive, Trebicka ka pohuar se me Shkëlzenin është takuar brenda makinës së këtij të fundit, që ishte parkuar përpara Akademisë së Arteve. Sipas rrëfimit të mësipëm, takimi është bërë pasi denoncuesi Trebicka u ka dhënë dokumente dhe kasetën e përgjimit, ku përmendet emri i Berishës dhe djalit të tij investigatorëve amerikanë. "Unë kisha një detyrim moral që kur të diskutoja për kryeministrin tim, unë më parë këtë ta diskutoja me familjen e kryeministrit. Dhe kur unë pashë reagimin e djalit të kryeministrit që me shumë qetësi, me shumë vendosmëri kërkoi që të ballafaqohej me presidentin dhe me punonjësin amerikan, natyrshëm unë krijova bindjen se ai nuk ishte i përfshirë në këtë aferë",-ka thënë Trebicka, pak ditë më parë. Emri i Shkëlzen Berishës është i lidhur me vizitën e Efraim Diverolit në Shqipëri, kur ky i fundit është detyruar të firmosë një kontratë në prani të Ylli Pinarit, Mihal Delijorgjit dhe një djali të ri rreth të 30-ave, që Pinari ia kishte prezantuar si djalin e kryeministrit Sali Berisha. Rrëfimin për këtë takim, 22-vjeçari Diveroli ia ka bërë Trebickës në telefon, ndërsa përgjimet e kësaj bisede janë botuar pak kohë më parë nga "Shekulli". Takimi sqarues mes Trebickës dhe Shkëlzen Berishës është bërë rreth 1 muaj para se të ndodhte tragjedia e Gërdecit. Megjithatë, kryeministri Sali Berisha nuk ka sqaruar ende për publikun shqiptar nëse e kishte takuar Ylli Pinarin, për të sqaruar përfshirjen e të birit në këtë histori.