E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzimet me pronat, të pandehur 7 punonjës të hipotekës

25/06/2009  Për ish-kryeregjistruesin Artan Gjylbegaj, Prokuroria ka ngritur dy akuza

TIRANE- Ish-drejtori i zyrës qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Artan Gjylbegaj, është dërguar si i pandehur në gjykatë për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh” së bashku me gjashtë persona të tjerë. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë Prokurorisë së Tiranës si dhe në të njëjtën kohë konfirmohet në web-saitin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës. Duke ju referuar burimeve të mësipërme mësohet se Artan Gjylbegaj është marrë i pandehur për dy akuza, pas një kallëzimi të bërë nga Ministria e Drejtësisë, i cili është mbështetur me të dhëna edhe nga raport-kontrollet e KLSH-së si dhe nga disa pakënaqësi të qytetarëve, që ish- kryeregjistruesi Gjylbegaj nuk i ka dhënë titullin e pronësisë. Burime pranë grupi hetimor thanë se ish-zyrtari i lartë i hipotekës qendrore është hetuar për më tepër se 10 raste abuzimi me titujt e pronësisë, kryesisht në qarkun e Tiranës si dhe disa raste janë shënuar në qarkun e Vlorës. Së bashku me ish- drejtorin e përgjithshëm të hipotekave si të pandehur në gjykatë janë dërguar edhe 6-të persona të tjerë, të cilët janë shtetasit Bega Musta, Genc Uruwi, Ilir Skilja, Lirim Troshani, Marjana Hoxha dhe Olsi Komiwi. Aktualisht dosja penale me nr. 1509, është dorëzuar në gjykatë më 17 qershor 2009, ndërsa hetimi mësohet se ka filluar në mesin e vitit 2008. Në këtë kohë pranë Prokurorisë së Tiranës është paraqitur padia penale që akuzonte zyrtarët për abuzime gjatë ushtrimit të detyrës. Abuzimet për të cilat akuzohen ish-zyrtarët e hipotekave së bashku me katër persona privatë që kanë kryer falsifikime, bëjnë fjalë për dhënien e padrejtë të titujve të pronësisë si dhe për mbivendosje pronash. Falsifikimet dhe mbivendosjet janë kryer sipas akuzës, duke manipuluar dokumentet dhe duke vënë në shfrytëzim një dispozitë të veçantë të ligjit për hipotekën, i cili i jepte drejtorit të përgjithshëm kompetencë për ngritjen e një Komisioni Institucional që merrte në shqyrtim aplikime për pronat dhe dhënie titujsh pronësie. Vendimet e dhëna nga ky komision shërbenin për regjistrimin e drejtpërdrejtë të pronës në hipotekë dhe për këtë shkak, dyshohet se vendime të tilla kanë qenë të shumta. Për më tepër janë gjetur dhe dokumentuar raste kur për një pronë që ishte në zotërim të zotëruesve të saj, është bërë mbivendosje, duke u njohur titull tjetër pronësie.

Sorollatja në hipotekë

Rasti i trashëgimtarit të familjes Gjyli nga Vlora

Në Prokurori janë hetuar me dhjetëra raste të dhënies së titujve të pronësisë nga ky Komision i ngritur pranë zyrës qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Një rast ku i mohohet dhënia e titullit të pronësisë është ai i familjes Gjyli nga Vlora. Përfaqësuesi i kësaj familje trashëgimtarësh, Albert Topçiu, ka dërguar një ankesë në Ministrinë e Drejtësisë, që mban datën 15 korrik 2005. Ministria e Drejtësisë, me anë të një letre drejtuar kryeregjistruesit Artan Gjylbegaj, të firmosur nga drejtoresha e përgjithshme, Shega Ligori, ka kërkuar sqarime të hollësishme, duke mbajtur në konsideratë edhe dokumentet e rregullta. Pas një peripecie të stërmadhe, Topçiu iu drejtua Prokurorisë.

Të dhënat

Regjistrimi në gjykatë

17 qershor 2009

10 raste abuzimi

Të pandehur

Artan Gjylbegaj

Bega Musta

Genc Uruçi

Ilir Skilja

Lirim Troshani

Marjana Hoxha

Olsi Komiçi

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›