Abuzoi me ilaçet e spitalit, pushohet nga puna ndihmësfarmacisti i QSUT
Abuzimet në qendrën spitalore Nënë Tereza, duken se nuk kanë për të përfunduar ndonjëherë. Kështu, ditën e djeshme është larguar nga puna ndihmësfarmacisti i QSUT, pasi kishte abuzuar me medikamentet dhe me çmimet e faturës. Ndërkohë po sipas të njëjtave burime bëhet e ditur se nga ana e drejtorisë do të vazhdojnë inspektimet edhe për mjekët dhe infermierët të cilët nëse kapen me shkelje do të largohen nga puna.
Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza bëri me dije ditën e djeshme se ka pushuar nga puna ndihmës-farmacistin e shërbimit Onkologjik, Hysni Bajrami. Kjo masë e menjëhershme administrative është marrë pasi është konstatuar se ai kishte bërë korrigjime të faturave mjekësore të barnave me vlera të konsiderueshme lekësh, nuk kishte aplikuar tek pacientët sasinë e mjaftueshme të medikamenteve, si dhe për arsye se arsimi i tij nuk përputhej me nivelin terciar të QSUT. Ky vendim i marrë nga drejtoria e QSUT, mbështetet edhe në një sërë dokumentesh të tjera të Kontrollit të Lartë të Shtetit. KLSH, mësohet se ka vendosur një gjobë prej disa milionë lekësh për shkak të parregullsive në farmacinë ku punonte Bajrami. Ndërkaq, drejtoria e QSUT njoftoi se do të ketë të tjera kontrolle dhe inspektime edhe në punën e mjekëve, infermierëve dhe të gjithë personelit shëndetësor dhe administratës. Për këdo që do të konstatohet me shkelje në detyrë, masa administrative do të jetë e menjëhershme konform ligjeve ne fuqi.
Last Updated on E Hene, 08 Shkurt 2010 22:02