Transporti në rajon, Shqipërisë i kërkohet përmirësimi i infrastrukturës portuale
Mbahet në Trieste, Konferenca e Parë Ndërkombëtare e Mesdheut për Mobilitetin në Rajon, e cila është organizuar nga ministri i punëve të Jashtme, të Italisë, Franko Frattini. Objektet kryesore të kësaj konference, ishin politikat për përmirësimin e logjistikës dhe infrastrukturës së transportit në rajonin e Mesdheut, liberalizimi, bashkëpunimi rajonal dhe eliminimi i barrierave jo fizike. Ministri i PPTT, Sokol Olldashi ishte përfaqësuesi i Shqipërisë në këtë konferencë, ku
ishin të ftuar ministrat e Transportit të vendeve Mesdhetare si dhe Zëvëndëspresidenti i Komisionit Europian për transportin Antonio Tajani. Gjatë diskutimeve të mbajtura në këtë konferencë u nënvizua rëndësia e përmirësimit të Infrastrukturës portuale në Shqipëri, Mal të Zi dhe vendeve të tjera të rajonit të Mesdheut, me qëllim për të krijuar kushte sa më të mira dhe të favorshme për zhvillimin e transportit multimodal, duke i dhënë përparësi zhvillimit të transportit hekurudhor. Thelbi i fjalës së ministrit italian të Punëve të Jashtme, Franko Frattini ishte lidhja ndërmjet rrjeteve të transportit, të vendeve të Europës Lindjes së Mesme dhe Afrikës të rajonit të Mesdheut përmes Autostradave blu (të detit), të cilat janë një element thelbësor për konsolidimin e marrëdhënieve ndërmjet shteteve partnere, për zhbllokimin e tregjeve të brendshme, për rritjen e konkurrencës ekonomike të Europës dhe krijimin e një tregu të madh në hapësirën e Mesdheut, në të cilën mallrat, shërbimet dhe njerëzit mund të qarkullojnë në një klimë liberalizimi dhe jo diskriminimi.
Last Updated on E Marte, 09 Shkurt 2010 09:54