Sequi, Bregu: Ka progres në zbatimin e rekomandimeve, duhet vullnet i përbashkët që Shqipëria të marrë statusin

Takimi konsultativ BE-Shqipëri, diskutohen 4 prioritetet e para të Bashkimit Evropian, ndër to reforma zgjedhore dhe rregullorja e parlamentit
Vijoi mëngjesin e sotëm në ministrinë e integrimit, takimi konsultativ mes palës shqiptare dhe asaj europiane për përmirësimin e Planit të Veprimit të hartuar nga pala shqiptare mbi 12 rekomandimet e Komisionit Europian. Sot u diskutua specifikisht për prioritetet 1 deri në 4 që përfshijnë dy nga pikat më të nxehta të debatit politik dhe mediatik në vend: reforma zgjedhore dhe ndryshimet në rregulloren e parlamentit.
Në fjalën e hapjes së takimit ministrja e Integrimit Majlinda Bregu tha se të gjitha komentet, sugjerimet dhe vërejtjet që do të bëhen gjatë gjithë ditës së sotme nga përfaqësuesit e Komisionit Europian, përfaqësuesit e opozitës dhe të qeverisë, të pranishëm në takim, do të pasqyrohen në materialin final të Planit të Veprimit.
“Sot do të dëgjojmë komentet për prioritete nga 1 deri në 4, ku siç e dini janë edhe pjesa më e nxehtë e debatit mediatik e politik: reforma zgjedhore, dhe ndryshimi i rregullave dhe procedurave të parlamentit. Besoj që nga përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës në komisionet e ngritura ad hoc për këto dy çështje, do të marrim informacion të risfreskuar lidhur me afatet kohore brenda të cilave mendohet të përmbyllen këto reforma”, tha ministrja.
“Reforma zgjedhore dhe ndryshimi i rregullores së parlamentit janë reforma që mund të qëndrojnë fare mirë edhe jashtë 12 pikëshit të Planit të Veprimit, por që përmbushja e tyre varet nga serioziteti dhe vullneti politik; shpresoj që fryma e këtij takimi të jetë konstruktive, në mënyrë që të mos bllokohet me arsye të parëndësishme ecuria dhe përmbushja e këtyre reformave. E kundërta na dëmton të gjithëve, qytetarët dhe axhendën e integrimit europian”, tha ministrja Bregu.
I pranishëm në takim, ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Ettore Sequi tha:
“Besoj që trajtimi i rekomandimeve kryesore është esencial, sepse këto rekomandime krijojnë një drejtim dhe udhërrëfim për vendin drejt rrugës së tij europiane. Prioritetet nga 1 deri në 4 kërkojnë një angazhim të veçantë, dialog dhe konsensus. Do të doja të theksoja disa pika që për mendimin tim janë shumë të rëndësishme:
Së pari, angazhimi i delegacionit që ka ardhur nga Brukseli, tregon që jemi të gatshëm për t’ju ndihmuar; ne besojmë ende që marrja e statusit kandidat është e mundur, sigurisht që kërkon angazhim, zbatim të 12 prioriteteve kryesore, siç e ka theksuar me elokuencë Komisioneri Fyle.
Sot mendoj se duhet të mirëpresim gatishmërinë e përfaqësuesve të të gjitha palëve, për t’u ulur bashkarisht, për të qenë pjesë e këtyre diskutimeve; jam shumë i kënaqur që disa herë që ju (ministrja Bregu) përmendët fjalët “vullnet politik”.
Ka patur progres, ecuri në një sërë fushash, p.sh në procesin e reformës elektorale - nuk do të flas këtu për historikun e arritjeve - gjithsesi mendoj që është e nevojshme që të arrihet progres përsa i përket reformës elektorale. Duhet të shtojmë përpjekjet në mënyrë që të arrijmë afatet; grupi i punës për procedurat parlamentare ka ecur me një hap më të ngadalshëm, por mendoj se është e rëndësishme të shtohen energjitë në këtë aspekt.
Kohët e fundit, KE ka anonçuar një projekt binjakëzimi për asistencë ndaj parlamentit, ndaj, mos hezitoni të kërkoni asistencën e këtij projekti, ndërsa për problemet kryesore që duhen trajtuar, mendoj se ekziston vullneti politik për t’i zgjidhur.
Në përgjithësi janë shënuar arritje: kemi folur për miratimin e një sërë ligjesh që kërkon një mazhorancë, përfshi dhe ligjin për Avokatin e popullit, të gjitha këto janë arritje të rëndësishme.
Jam i mendimit që duhet të mbështetemi në këto arritje, jam i sigurt që me angazhim të fortë, me punën tonë të përditshme, të arrihen rezultatet që ne dëshirojmë. Si në çdo përpjekje humane nevojiten dy gjëra: vizioni dhe burimet: vizioni sigurisht që ekziston, është marrëveshja e përbashkët, puna për 12 prioritetet; dhe burimet: burimet janë aty, nuk është se mungojnë, sidomos burimet njerëzore.
Së treti, duhet angazhim dhe vullnet politik. Mendoj që ky seminar do të ndihmojë shumë në ecjen drejt rrugës së integrimit, jemi këtu t’ju ndihmojmë, por kuptohet, ky është vendi juaj, kjo është e ardhmja juaj!
Në takimin e sotëm, përveç ministres Bregu dhe ambasadorit të delegacionit të KE-së Sequi, ishin të pranishëm bashkëkryetarët e Komisionit të reformës zgjedhore Damian Gjiknuri dhe Ilir Rusmali respektivisht përfaqësues i opozitës dhe mazhorancës në Komision; bashkëkryetarët e Komisionit të reformës parlamentare Namik Dokle dhe Jemin Gjana, respektivisht përfaqësues i opozitës dhe mazhorancës në Komision; kryetari i Komisionit Parlamentar te Integrimit Ditmir Bushati, si dhe përfaqësuesit e delegacionit të Komisionit Europian i kryesuar nga Shefi i njësisë për Shqipërinë pranë drejtorisë së Zgjerimit të Komisionit Europian, Vassilis Maragos.
Me diskutimet rreth prioriteteve 1 deri në 4 përfundon edhe takimi konsultativ BE-Shqipëri për Planin e Veprimit mbi 12 prioritetet e Komisionit Europian. Gjatë ditës së djeshme palët diskutuan dhe komentuan prioritetet nga 6 deri në 12.