Acari kaplon Europën
Europa u kaplua sot nga temperatura tejet të ulëta, me Britaninë e cila po përgatitet për reshje të reja të borës, të cilat qysh më herët kanë shkaktuar kaos, në momentin kur Britania po përjeton dimrin më të ashpër në dekadat e fundit.
Me miliona britanikë edhe sot u përballen me një mot të ftohtë, i cili ka paralizuar trafikun dhe ka goditur rëndë ekonominë britanike të zhytur në recesion.
Edhe pjesët tjera të Europës u goditën rëndë, me temperaturat tejet të ulëta të cilat vështirësuan trafikun anembanë kontinentit.
Norvegjia ishte një prej shteteve me temperaturat me të ulëta, me ç’rast temperatura në qytetin qendror Roeros ka rënë në minus 41 gradë Celsius.
Në Francë, dy të rinj kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti në Orne, në veriperëndim të vendit, ndërsa një ngasës i autobusit ka humbur jetën në Spanjë, si pasojë e një aksidenti në rajonin perëndimor Charente.
Aeroporti ndërkombëtar në Dablin u mbyll për qarkullim, ndërsa reshjet e mëdha të borës shkaktuan vonesa dhe anulim të fluturimeve në aeroportin Schipol në Amsterdam. Edhe në aeroportin Gatëick në Londër u anuluan më shumë se 400 fluturime, pasi që bora kishte mbuluar pistat.
Në ndërkohë, reshjet e rrëmbyeshme të shiut kanë goditur disa pjesë të Italisë, ndërsa zyrtarët frikësohen se lumi Tiber gjatë ditëve në vijim mund të kërcënojë Romën.