E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laburistët “rebelohen” kundër Brownit

Dy-ish ministra të kabinetit të Britanisë kanë kërkuar një votë të fshehtë të deputetëve, për të vendosur se a duhet Partia Laburiste të udhëhiqet nga kryeministri i Britanisë, Gordon Brown, gjatë zgjedhjeve të përgjithshme, të cilat pritet të zhvillohen në qershor.

Zëdhënësi i Brownit theksoi se kryeministri “është i qetë dhe po vazhdon punën e tij”, ndërsa ministrat e lartë në kabinetin e tij, Ministri i Financave, Alistair Darling dhe Ministri i Jashtëm, David Miliband, mbështetën publikisht shefin e tyre.

“Askush nuk duhet të reagojë me nguti. Kryeministri vazhdon të ketë përkrahjen e kolegëve të tij. Ne duhet të vazhdojmë biznesin e qeverisjes si zakonisht”, theksoi Ministri për Biznes, Peter Mandelson.

Kërkesa e ish-ministrave nxori sërish në sipërfaqe pakënaqësinë për mënyrën e kryesimit nga ana e Brownit vetëm disa muaj para zgjedhjeve të përgjithshme, në të cilat pritët të ngadhënjejnë konservatorët në opozitë. Sipas të gjitha gjasave, zgjedhjet në Britani do të zhvillohen më 6 maj.

Momenti i kërkesës ishte një befasi për shumë analistë, të cilët janë të mendimit se tani është vonë që Browni të zëvendësohet, pikërisht në momentin kur laburistët kanë filluar të shkrijnë epërsinë e konservatorëve në anketat e opinionit publik.

“Shumë kolegë kanë shprehur frustrimin e tyre me mënyrën e kryesimit nga ana e tij, e cila po ka ndikim edhe në paraqitjet e partisë. E vetmja mënyrë për të zgjidhur këtë çështje është që të gjithë anëtarëve të partisë t’iu mundësohet që të shprehin qëndrimet e tyre me vota të fshehta”, theksuan Geoff Hoon dhe Patricia Hewitt, në letrën dërguar deputetëve laburistë në parlament.

Hoon dhe Hewitt kanë shërbyer në funksione të ndryshme në qeveri. Sidoqoftë, Hewitt planifikon të tërhiqet në prag të zgjedhjeve të ardhshme dhe mbetet e paqartë se çfarë përkrahje gëzon ajo në radhët e deputetëve laburistë, përveç atyre të cilët ka tashmë ca kohë që kanë qëndrim kritik ndaj Brownit.

Zyrtarët tjerë laburistë theksuan se ka shumë pak gjasa që të mbështetet kërkesa e dy zyrtarëve të rebeluar laburistë dhe se shumë shpejtë situata do të qetësohet.

“Nuk është kjo ajo që e dëshirojnë deputetet laburistë në parlament, e këtë nuk e dëshiron as opinioni britanik”, deklaroi Tony Lloyd, kryesues i laburistëve në parlament.

Miliband dhe Ministri i Brendshëm, Alan Johnson, të cilët në të kaluarën janë përmendur si kryesues të mundshëm të Partisë Laburiste, shprehën përkrahjen e tyre për Brownin.

“Po bashkëpunoj ngushtë me kryeministrit për çështjet e politikës së jashtme dhe e mbështes fushatën për rizgjedhjen e qeverisë laburiste, e cila kryesohet nga ai”, tha Miliband.

Në anën tjetër, konservatorët, të cilët po tentojnë të kthehen në pushtet, pas 13 viteve në opozitë, vazhduan me kërkesat e tyre për zgjedhje të parakohshme.

“Ministrat janë më të interesuar që të ruajnë lëkurën e tyre, se sa të nxjerrin Britaninë nga rrëmuja, në të cilën gjendet aktualisht”, tha kryesuesi i konservatorëve, Eric Pickles.

“Nuk mund të vazhdojmë më kështu. E vetmja gjë që mund të bëjë një qeveri e përgjegjshme është shpallja e zgjedhjeve të parakohshme”, shtoi ai.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›