E Shtunë, 31 Tetor 2026

Senatori Chris Dodd tërhiqet nga politika

Aleatët demokrat të presidentit amerikan, Barack Obama, patën një fillim mjaft të keq të vitit zgjedhor, me tërheqjen nga politika të senatorëve demokrat të profilit të lartë, tërheqje këto të cilat mund të rrezikojnë shumicën e demokratëve në senat, si dhe agjendën e tyre.

Senatori demokrat, Cristopher Dodd, kryesues i Komitetit të senatit për banka, kumtoi se ai nuk do të kandidohet për rizgjedhje në nëntor, duke e lënë Obamën pa një aleat të fuqishëm në Washington.

“Është ky momenti për t’u tërhequr”, deklaroi Dodd para gazetarëve të tubuar para shtëpisë së tij në Connecticut.

Demokratët, me shumicën e tyre në senat dhe dhomën e përfaqësuesve në lojë gjatë zgjedhjeve në nëntor, shpresojnë se largimi i Doddit do t’iu ndihmojnë atyre që të ruajnë ulësen e tij në shtetin, të cilin Obama e fitoi bindshëm në zgjedhjet presidenciale në vitin 2008.

Kumtesa e Doddit pasoi vetëm një ditë pasi që senatori demokrat nga Dakota Veriore, Byron Dorgan, kumtoi se nuk do të synojë edhe një mandat tjetër në senat, duke shtuar gjasat e republikanëve që të sigurojnë ulësen e tij, gjë që do të forconte aftësinë e republikanëve për të bllokuar agjendën e Obamës.

Sot, 58 demokratët në senat, kur atyre ju bashkohen edhe dy senatorë të pavarur, të cilët shpesh janë aleatë të tyre, kanë shumicën e nevojshme prej 60 votave, në senatin me 100 ulëse, për të tejkaluar taktikat zvarritëse të republikanëve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›