Clinton: Me zhvillim kundër terrorizmit

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, bëri thirrje për ndihma më të fuqishme të SHBA-së në fushën e zhvillimit, duke theksuar se këto ndihma janë vitale për sigurinë globale dhe atë të SHBA-së, në momentin kur po forcohet kërcënimi nga ekstremizmi.
“Ne nuk mund të ndalim terrorizmin apo të mposhtim ideologjitë e ekstremizmit të dhunshëm, kur me qindra miliona të rinj anembanë botës nuk shohin ndonjë ardhmëri, për shkak të mungesës së vendeve të punës”, theksoi Clinton.
Ajo shtoi se nuk mund të promovohet një botë më e sigurt dhe më demokratike, kur një e treta e njerëzimit jeton në kushte, të cilat ofrojnë pak mundësi për të ndërtuar një ardhmëri më të mirë për ta dhe fëmijët e tyre.
Clinton më tutje theksoi se strategjia e re për zhvillim, për të cilën po angazhohet presidenti Barack Obama, më shumë bazon në partneritet, e jo në patronazh.
“Në të kaluarën, ne nganjëherë kemi diktuar zgjidhjet nga larg, shpesh duke mos qenë të pranishëm në terren. Vëmendja duhet të përqendrohet tek investimet për femrat në gjithë botën. Femrat janë një prej burimeve më të pashfrytëzuara në botë”, nënvizoi Clinton.