Gjermania heton aktivitetet e CIA-s në territorin gjerman
Autoritetet në Gjermani kanë filluar hetimet në lidhje me raportin e publikuar në një revistë amerikane, se një ekip i CIA-s kishte vënë në shënjestër një pjesëtarë të dyshuar të Al Qaidës në Hamburg, pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, operacion ky i cili nuk është materializuar asnjëherë, kanë njoftuar zyrtarët.
Në bazë të raportit të publikuar në revistën Vanity Fair, CIA kishte dërguar agjentë, për të vënë në shënjestër Mahmoun Darkazanlin, një biznesmen me shtetësi gjermane, me prejardhje nga Siria.
Darkanzanli është akuzuar nga Spanja se ka qenë pjesëtarë i Al Qaidës dhe se ka qenë i afërt me rrëmbyesit e 11 shtatorit, të cilët kanë jetuar dhe studiuar në Hamburg.
Artikulli përqendrohet në Erik Prince, i cili ka formuar kompaninë Blackwater, me ç’rast u theksua se Prince ka trajnuar ekipin e CIA-s. Më tutje u theksua se ekipi i CIA-s nuk kishte njoftuar as qeverinë gjermane, e as stacionin e CIA-s në Hamburg, për aktivitetet e veta në këtë qytet.
Më tutje u theksua se ekipi ka përcjellë disa javë Darkazanlin, para se të jepej urdhri që aksioni të ndërpritet.
George Little, zëdhënës i CIA-s në Virginia, nuk pranoi të komentojë këtë rast. Edhe pse ky artikull u publikua në dhjetor, prokurorët në Hamburg tek ketë javë morën vendimin për ta shqyrtuar rastin, deklaroi zëdhënësi i prokurorisë, Vilhel Moellers.
“Bëhet fjalë për një vlerësim të përgjithshëm. Aktualisht po flasim vetëm për një artikull, të publikuar në gazetë-nuk jemi duke zhvilluar hetime për të dyshuar të njohur apo të panjohur”, tha Moellers.
Ai shtoi se madje edhe nëse rrëfimi dëshmohet si i vërtetë, prokurorët duhet të vlerësojnë se a bëhet fjalë për ndonjë krim apo jo.