E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Act Now”- duke pritur shqiptarët

Edmir Kallozi/pedagog, Universiteti i Vlorës

-Në vitin 1952 Samuel Beket publikoi “Duke pritur Godonë”. Dy personazhet kryesorë të kësaj vepre, Vladimir dhe Estragon, kanë lënë takim me Godon, një personazh misterioz që nuk shfaqet asnjëherë në skenë por që është objekt i vëmendjes së tyre gjatë gjithë shfaqjes. “Duke pritur Godonë” flet për njeriun, për aspiratat e tij, për një pritje pa mbarim dhe një takim, një ndryshim për mirë që nuk ka për t’u realizuar kurrë. Kurrë, derisa vetë personazhet të zgjohen e të marrin në dorë fatin e tyre dhe të mundin shkurajimin. Të mos presin Godonë gënjeshtar, por të kuptojnë se janë vetë ata dhe askush tjetër zotër të fatit të tyre. Kjo vepër është mëse aktuale. Vladimiri dhe Estragoni janë akoma në atë fushë duke pritur Godonë. Është dilema ekzistenciale e njeriut në fund të fundit, gjithmonë në pritje të diçkaje që t’ia ndryshojë jetën në mirë. Për këtë kanë luftuar e luftojnë mentalitete prapanike dhe ata persona apo institucione që u vënë limit aspiratave të tyre. Ata që duan t’u vrasin edhe shpresën e fundit. Të gjithë ata që në vend që t’i ndihmojnë të ecin para u bëhen pengesë dhe mundohen t’i kthejnë pas në kohë. Për këtë luftojnë njerëzit në pjesën më të madhe të botës, por jo këtu. Këtu ata i përshtaten sistemit të korruptuar duke krijuar një shoqëri të demoralizuar dhe pasive. Shembull, iniciatiava ACT NOW e ambasadorit amerikan. Z. Arvizu e tha në Anglisht, por të gjithë shqiptarët e kuptuan. E dëgjuan, e kuptuan, por kaq, asgjë më shumë. Për fat të keq asgjë nuk lëvizi, ose nëse lëvizi ndodhi vetëm brenda trurit të tyre e për pak çaste. Më pas u shuajt si një qiri i lagur që nuk iu dha koha që të mbarojë ciklin për të cilin ishte projektuar. Nuk lëvizën shqiptarët, e as kanë ndërmend ta bëjnë. Apatia dhe shkurajimi i ka përfshirë plotësisht. Ata presin, tashmë prej më shumë se 20 vitesh. Godo bën të njëjtën lojë edhe me ta. Bartës të misionit të tij u bë politika shqiptare që u premtoi ndryshimin sa e sa herë por që deri tani e ka bërë vetëm për keq. Motoja e viteve’90, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, mbetet akoma aktuale. Thua se veç disa pallateve të reja, një korrupsioni të pashoq dhe një kaosi ndërtimor e ambiental çdo gjë është si në vitet ‘90. Dëshira e shqiptarëve për t’u larguar nga vendi nuk ka ndryshuar aspak. Shqiptarët presin më kot. Godo i tyre nuk ka për të ardhur nëse ata vetë nuk zgjohen dhe ti kundërvihen mentaliteti djallëzor që është bërë normë vitet e fundit. Kjo politikë gungaçe dhe ata që e kanë imituar më së keqi i kanë shkaktuar vendit një dëm katastrofik. Ajo që është e pariparueshme është ndjesia e pafuqisë dhe pesimizmit që vjen nga pamundësia për të ndryshuar realitetin e kalbur, për t’iu kundërvënë sistemit të korrupsionit që pasuron pak persona e varfëron shumë të tjerë. Pafuqi për të luftuar korrupsionin që ka përshirë tërë sistemin arsimor, duke filluar nga pastruesja e shkollës e deri tek shkallët më të larta të hierarkisë. Nga këto shkolla dalin ata që nesër do mësojnë fëmijët shqiptarë, do dalin (e po dalin mjerë ne) mjekë të një cilësie të ulët e në prodhim serie thua se zanati i tyre është çdo gjë veçse të kujdesen për qeniet njerëzore. Kjo është situata aktuale, këto janë gjërat që nuk na pëlqejnë e që mundohemi mos ti pranojmë, duke vajtur kështu kundër rrymës. Por duhet vajtur kundër rrymës! Sidomos kur rryma të çon drejt greminës siç po bën rryma e politikës së mbrapshtë shqiptare.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›