E Diel, 1 Nëntor 2026

Cikli i mbyllur i klasës politike të tranzicionit

Prof. Dr. Fatmir Shehu

-Zgjedhjet parlamentare që po vinë të 23 Qershorit, kërkojnë që të kihet një përcaktim i qartë mbi rëndësinë që ka obsolishenca ( vjetërimi, demodimi) i politikanëve dhe grupimeve politike qoftë ato që janë në pozitë, por dhe ato që janë në opozitë. Periudha që ka kaluar vendi jonë këto dy dekada ka qenë një periudhë e komplikuar me shumë probleme ideologjike, politike, sociale dhe ekonomike. Kjo periudhë ka qenë ajo e transformimeve të vrullshme në shumë drejtime, si në botëkuptim, organizim, ekonomi, infrastrukturë, shtet, arsim, kulturë, diplomaci etj. Pavarësisht se ka mjaft vend për kritika dhe pretendime, duhet patur gjithmonë parasysh se: vështirë është ta transformosh situatën dhe jo ta shpjegosh atë. Prandaj ata që e kanë transformuar meritojnë respekt dhe vlerësim. Këtu mund të kritikohet një kryeministër apo një tjetër , mund të kritikohet një politikan apo grupim politik apo një tjetër që kanë qenë aktorë dhe faktorë të kësaj periudhe, por duhet pranuar se kjo periudhë ka qenë fillimi i demokracisë dhe siç thuhet me të drejtë: “fillimi është gjysma e punës”. Duke u nisur nga fakti se periudha e tranzicionit në Shqipëri ka qenë tepër e vështirë, pra e lodhshme, nuk mund të themi se politikanët që kanë qenë në pushtet, nuk janë të lodhur e të vjetruar, të obsoletizuar. Në politikë si dhe kudo, nuk mund të mendohet se një politikan apo grupim politik është i pavdekshëm apo i palodhur. Nga studimet rezulton se çdo gjë e ka apogjeun e saj deri në një periudhë dhjetë vjeçare dhe pastaj fillon vjetrimi. Kështu dhe në politikë, një politikanë apo grupim politik, në më të shumtën bënë ç’bën dhe duhet t’i bëjë brenda një periudhe jo më shumë se një dekadë dhe s’ka përse t’i zvarrisë aplikimet në pambarim ( nuk themi se s‘ka raste përjashtuese ) se më tej bëhen demode. Nuk është pa logjikë fakti se një president apo kryeministër, madje mendojmë se mirë do të ishte dhe për një deputet, një ministër apo drejtues i lartë shtetëror apo drejtues Partie, nuk duhet të rrinë në këto pozicione më shumë se një periudhë dhjetë vjeçare. Më tej ai / ajo po të ketë aftësi dhe fuqi mund të shërbejë si konsulent, analist, autor botimesh, por jo si vendimmarrës. Shembuj ka dhe pa mundur t’i përmendim të gjithë mund të përmendim Aleksandër Meksin, Servet Pëllumbin, Rexhep Mejdanin, Bashkim Koplikun etj. Këtë shembull duhet që ta ndjekin, sepse kohët e fundit edhe Papa tregoi se duhet qëndruar aq sa mundesh, mandej largohu. Pra në të tilla raste një parti e caktuar dhe koalicioni i saj nuk mund të këtë energji të tilla që të përballojë vjetrimin dhe konsumin që është një fenomen objektiv. Aktualisht në vendin tonë po ravijëzohet një tendencë grupimesh politike të mëdha - e natyrshme: majtas dhe djathtas. Flitet dhe për pol të tretë – por ky gjithmonë është si gurët e vegjël të kandarit që vendosin ekuilibrin. Këto grupime të mëdha mund të konsiderohen si dy krahët e një trupi të njeriut. Ku trupi mund të konsiderohet Demokracia. Atëherë secili krah mund të shërbejë për një kohë të caktuar. Kuptohet se në të tilla raste grupimet politike që rivalizojnë për pushtet e kanë fenomenin e obsolishencës të përkohshëm, ato duke u pozicionuar në opozitë dhe në supervizim, në rifreskim dhe gjenerim, jo vetëm ndihmojnë me eksperiencën e tyre për mbarëvajtjen e punës së qeverisjes, por marrin të gjitha masat që me një përgatitje të gjithanshme të rrisin gatishmërinë për të shpejtuar obsolishencën e krahut në pushtet dhe të aftësohen për t’u futur sa më shpejt të jetë e mundur në frontin e luftës me paradigma të reja dhe utilitare. Ka politikanë dhe grupe politike që nuk e marrin parasysh fenomenin objektiv për të cilin po diskutojmë. Bile bëjnë çmos që të zgjasin jetën e tyre në politikë dhe mundësisht në pushtet . Ka shumë deputetë, drejtues partish etj., që i kanë kaluar mbi 15 vjet në parlament apo si drejtues partish dhe nuk kanë ndonjë arritje. Ky është një gabim i madh dhe me kosto për shoqërinë. Duhet që edhe për deputetët apo politikanët të ketë tregues shërbimi, si studime, projekt-ligje që kthehen në ligje dhe që duhet të mbajnë autorësinë e tyre, zgjidhje dhe transformime të realiteteve në favor të komunitetit, lufta politike me kundërshtarin politik dhe fitore në zgjedhje etj. Duke zbatuar parimin “lodhu” “çlodhu” kuptohet që forcat politike do të jenë më të afta që të bëjnë një luftë që të kurorëzohet me fitoren e popullit . Edhe në artin e luftës njihet ky parim d.m.th parimi i rifreskimit të forcave të frontit. Një nga thëniet e Emersonit është: “Para se të kërkojmë pushtet , duhet të kërkojmë liri për ta përdorur atë sa më mirë". Prandaj mendojmë se kur je i lodhur dhe i konsumuar nuk mund të përdorësh sa mirë pushtetin që kërkon. Megjithatë secili politikan dhe grupim politik duhet ta vlerësojë vetë shkallën e vjetrimit, por këtë vlerësim duhet të bëjë me objektivitet dhe sa më saktë edhe votuesi, që barrën e halleve të tij duhet ta lërë në dorë sa më të sigurt zgjidhjeje.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›